Anketa e “WeBalkans” tregon se qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë besim të lartë te Bashkimi Evropian, por mosbesim serioz ndaj sistemit vendor të drejtësisë dhe partive politike, transmeton Portalb.mk.
Anketa e “WeBalkans”, e publikuar këto ditë, ka zbuluar një hendek të thellë mes besimit të lartë të qytetarëve maqedonas te organizatat ndërkombëtare dhe skepticizmit të theksuar ndaj institucioneve vendore.
Në kontrast me institucionet vendore, Bashkimi Evropian mbetet aktori ndërkombëtar më i besueshëm. Besimi ndaj BE-së arrin në 79,5%, ndërsa 67% e qytetarëve mbështesin anëtarësimin e vendit në familjen evropiane.
Megjithëse perceptimi pozitiv ka shënuar një rënie të lehtë (nga 65,4% në vitin 2025 në 61,4% në vitin 2026), mbështetja për anëtarësim mbetet e qëndrueshme.
Qytetarët e njohin BE-në si partner kryesor: 84% konsiderojnë se mbështetja financiare e BE-së është e lartë ose mesatare; 40,8% e shohin BE-në si donatorin më të madh; përfitimet kryesore të pritshme janë standardi më i mirë i jetesës (46,8%) dhe një e ardhme më e mirë për të rinjtë (41%).
Qytetarët identifikojnë disa pengesa kryesore për anëtarësimin në BE: mosmarrëveshjet me shtetet anëtare – 38,4%; korrupsioni – 36,5%; dobësitë në sundimin e ligjit – 33,3%.
Ndërsa Bashkimi Evropian gëzon mbështetjen e dy të tretave të popullsisë, sistemi vendor i drejtësisë dhe partitë politike përballen me nivele të ulëta besimi.
Sistemi i drejtësisë ka nivelin më të ulët të besimit – plot 76% e të anketuarve kanë deklaruar se nuk kanë besim në të.
Pasojnë partitë politike me 68,7% mosbesim dhe Kuvendi me 61,9%.
Nivele të ulëta besimi janë regjistruar edhe te Qeveria (56,1%), presidenti (54,9%), mediat (51%) dhe pushteti lokal (58,1%).
Nga ana tjetër, institucionet e vetme që gëzojnë besimin e shumicës së qytetarëve janë bashkësitë fetare (60,8%) dhe ushtria (58,5%).
Anketa është realizuar në periudhën shkurt–prill 2026, mbi bazën e intervistave me një mostër përfaqësuese prej 1.000 personash. Të anketuarit i përkisnin popullsisë së përgjithshme mbi moshën 15 vjeç.
Hulumtimi i WeBalkans tregon se besimi në BE mbetet i lartë në gjithë rajonin, me përjashtim të Serbia.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.



