Anketa: Çdo të dytës kompani i është kërkuar ryshfet nga 10-100 mijë euro

Anketa e Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut tregon se nga 130 kompani private të anketuara, nga më e madhja tek më e vogla, çdo të dytës i është kërkuar ryshfet nga 10-100 mijë euro. “Institucionet e pushtetit qendror janë më të korruptuarat dhe ato të pushtetit lokal me 22% të korrupsionit ndaj kompanive private me të cilat kanë bashkëpunuar.” Ata që kanë denoncuar korrupsionin në Prokurori mund të numërohen me gishta, dhe këto kompani deklaruan se vetëm prokurorët dhe auditorët nuk kanë kërkuar ryshfet, thuhet në rezultatet e anketimit të bizneseve private për çështje të korrupsionit.

“Në cilat raste iu janë kërkuar ryshfet: gjatë procedurave për marrje të lejeve dhe pëlqimeve, gjatë kryerjes së inspektimeve, gjatë procedurës së doganimit dhe gjatë procedurës së tenderimit. Por ka raste që edhe në procedura tjera si të tatimeve, gjyqësore dhe kadastrale. Të vetmet raste që nuk janë kërkuar ryshfet janë nga prokurorët publik dhe gjatë revizionit të tyre”, tha Zoran Jovanovski, Nënkryetari i Odës Ekonomike.

Arsyeja kryesore e korrupsionit sipas të anketuarve është: “Sistemi gjyqësor joefikas”, por edhe se “individët që përfaqësojnë qeverinë duan të pasurohen shpejt”. Nga këto 130 kompani të pyetura, Oda ka marrë 83 përgjigje. Por, 39 prej kompanive janë përgjigjur se kanë frikë nga pasoja negative për biznesin nëse raportojnë korrupsion, kanë frikë se kompanitë e tyre do të dështojnë.

Në këtë anketë nuk ka persona që kanë thënë se kanë denoncuar në polici apo në prokurori, sepse nga të gjithë të anketuarit, 42 janë përgjigjur se nuk besojnë se do të ketë efekt edhe nëse do të denonconin.

“A jeni përballur me kërkesa korruptive në vitin 2023? 53% janë përgjigjur me “Po” dhe 47% me “Jo”!
Kërkesat për ryshfet, favore, kushte për punësim në kompani private të familjarëve më së shumti (78%) kishin nga përfaqësues të pushtetit qendror (qeveria, ministritë, drejtoritë, agjencitë dhe inspektoratet)”, thuhet në Anketën e ODËS: “Qytetarët kundër korrupsionit”.

Rreth 61% e përgjigjeve të kompanive janë se në vitin 2023 u është kërkuar ryshfet 2-5 herë, dhe 20% e tyre “vetëm” një herë. 26 nga kompanitë e anketuara janë përgjigjur se u kanë kërkuar ryshfet në para, 15 në dhuratë, 12 kanë kërkuar një favor dhe pjesa tjetër është dashur të punësojnë dikë dhe të donojnë para për një parti politike, thuhet në raport.

Ndryshe, nga zvogëlimi i dënimeve për korrupsion në Kodin Penal, sektori i biznesit deklaroi se për të luftuar korrupsionin ato duhet të rriten, madje 47 prej tyre mendojnë se Prokuroria duhet të deklarojë shpejt raportet nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin të Korrupsionit, pavarësisht nëse i refuzojnë apo për ndonjërin prej tyre ka nisur procedurë. /Alsat.mk