Ankesa në Klinikën e Tetovës: Shpërblimet po ndahen në baza partiake, e jo në bazë të meritave!

Shumë të punësuar në spitalin Tetovës, që kanë qenë në “vijën e parë” të luftës kundër pandemisë, ankohen se janë anashkaluar gjatë ndarjes të shpërblimeve për punëtorët shëndetësorë që luftuan virusin.
“Shpërblimet janë ndarë në baza familjare dhe partiake. Shpërblime kanë marrë njerëz që nuk kanë pasur kurrfarë lidhje me luftën kundër pandemisë, kurse janë anashkaluar njerëz shumë meritorë. Kemi premtime se do të përmirësohet ky gabim, por nuk besojmë, prandaj vendosëm ta paraqesim problemin në mediume. Si mundet një i punësuar në administratë të ketë më shumë merita se një infermiere, teknik ose një motër medicinave?”, pyesin në deklaratën e tyre për portalin Tetova City Life disa të punësuar në Klinikë.
Nga drejtoria e Klinikës në Tetovë mohojnë prapavijë partiake, ose nepotizëm në këtë rast, duke garantuar përmirësim të ndonjë “gabimi eventual”.

“Çdo gabim eventual do të përmirësohet. Kush mendon se është dëmtuar mund të ankohet dhe ne do të shqyrtojmë çdo ankesë”, garantojnë nga drejtoria e spitalit në deklaratën e shkurtër për Tetova City Life.

Mirëpo të punësuarit “e dëmtuar” janë skeptikë. Ata vlerësojnë se premtimet nga drejtoria janë momentale në funksion të politikës ditore dhe se pas disa ditëve do të lihen në harresë.