Anglia dhe BE thonë se sulmet ndaj civilëve në Ukrainë duhet të hetohen si krime lufte

Ministrja e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Liz Truss, ka thënë se akuzat për sulmet ruse kundër civilëve ukrainas duhet të hetohen si krime lufte, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar do të mbështeste plotësisht çdo lëvizje të tillë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

“Teksa trupat ruse detyrohen të tërhiqen, ne po shohim prova në rritje të akteve të tmerrshme nga forcat pushtuese në qytete si Irpin dhe Bucha”, tha Truss në një deklaratë, duke iu referuar qyteteve pranë Kievit.

“Sulmet e tyre pa dallim kundër civilëve të pafajshëm gjatë pushtimit të paligjshëm dhe të pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë duhet të hetohen si krime lufte”, shtoi ajo.

Në lidhje me agresionin rus në Bucha është shprehur i tronditur edhe kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili nuk hezitoi ta quaj këtë një masakër.

Tutje ai tha se BE-ja po ndihmon Ukrainën dhe OJQ-të në mbledhjen e provave të nevojshme për ndjekje në gjykatat ndërkombëtare, duke shtuar se sanksionet dhe mbështetja e mëtejshme e BE-së janë në rrugë. /Klankosova.tv/