Anëtarësimi në BE duket gjithnjë më i largët, çdo i katërti qytetar i RMV-së nuk beson se do të ndodhë

Një e katërta e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut (25 për qind) mendojnë se vendi nuk do të bëhet kurrë anëtar i Bashkimit Evropian. Këtë e kanë treguar rezultatet e hulumtimit më të ri „Barometri Ballkanik 2025“ të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), transmeton Portalb.mk.

Sipas këtij hulumtimi, 21 për qind e të anketuarve në vend presin anëtarësim në BE deri në vitin 2035, 11 për qind deri në 2040, ndërsa 15 për qind janë më optimistë dhe besojnë se kjo do të ndodhë deri në vitin 2030. 11 për qind mendojnë se anëtarësimi do të ndodhë pas vitit 2040, ndërsa 13 për qind nuk dinë ose nuk kanë dhënë përgjigje.

Pavarësisht skepticizmit për datën e anëtarësimit, mbështetja për anëtarësimin mbetet e lartë për shkak të pritshmërive ekonomike.

Në nivelin e Ballkanit Perëndimor, mbështetja për anëtarësim në BE është rritur në 64 për qind, krahasuar me 54 për qind në vitin 2024.

Mbështetja më e madhe regjistrohet në Shqipëri (86 për qind) dhe Kosovë (78 për qind).

Në përgjithësi në rajon, po ulet numri i atyre që mendojnë se zgjerimi „kurrë nuk do të ndodhë“ (nga 18 në 17 për qind), ndërsa rritet optimizmi se kjo mund të ndodhë deri në vitin 2030 ose 2035.

Çështjet kryesore që shqetësojnë qytetarët në vitin 2025 mbeten çmimet dhe inflacioni (66 për qind), situata e përgjithshme ekonomike (44 për qind) dhe korrupsioni (35 për qind).

Si pengesa kryesore për bashkëpunimin rajonal identifikohen mosbesimi për shkak të çështjeve historike (38 për qind) dhe politika nacionaliste (37 për qind).

RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.