Anestezisti i burgosur 7 vjet pa licencë pune/ Mexhiti: Ka gjasa që t’i hiqet licenca përgjithmonë

Anestezistit Valton Dervishi zyrtarisht do t’i merret licenca për shkak shkeljes etike të punës, njoftojnë nga Oda e mjekëve.

“Gjykata e nderit pranë dhomës së mjekëve të Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme ka sjell vendim që përkohësisht t’i merret licenca të punësuarit DR Valton Dervishi, specialist-anesteziolog i punësuar në Spitalin klinik të Tetovës. Licenca për punë i merret për 7 vjet.”- thanë nga Dhoma e Mjekëve e Maqedonisë së Veriut.

Por ministri i shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, tha se ka gjasa që anestezistit në fjalë t’i merret licenca përgjithmonë.

“Oda e Mjekëve sot mban një mbledhje, kështu që licenca do t’i merret pikë së pari njëherë për 7 vjet, që të mos mund të punojë me atë punë, pastaj kur do të vendosin organet e drejtësisë, do t’i merret deri në fund të jetës. Varet, nëse vërtetohet se ka lëshime në aspekt ligjor, që ka gabuar, që ne e dimë që ka gabuar. Po të lëmë institucionet që janë kompetente, profesionale, gjyqësore, të vendosin për më tutje, dhe ne normal do të respektojmë vendimet e gjykatës”- deklaroi Fatmir Mexhiti – ministër i Shëndetësisë.

Gjykatësi i lëndës paraprake, anestezistit Valton Dervishi ja ka vazhduar paraburgimin edhe për 30 ditë. Dervishi akuzohet për “punë të pandërgjegjshme” dhe “Incizim të pa autorizuar”. Me 14 prill anesteziologu nga Tetova në orët e paradites kishte hyrë live në tik tok nga dhoma e pastrimit në gjinekologjinë e Tetovës.