Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Marija Andonovska, pret që ProkuroriaPublike të hetojë parregullsitë e identifikuara në veprimtarinë e institucionit pas publikimit të raportit të Entit Shtetërore të Revizionit (ESHR), transmeton Portalb.mk.
“Disa gjëra më dukeshin të pabesueshme sapo mora këtë pozicion, pasi gjithçka ndodhi para se të merrja pozicionin”, tha ajo.
Kur mori pozicionin e drejtoreshës, ajo tregoi se ekipi i saj dhe ajo arritën në përfundimin se nuk kishte reagentë dhe asnjë evidencë për ta.
“Disa nga njerëzit merrnin pagë, por nuk vinin në punë, kolegët i regjistronin si të ardhur në punë dhe në këmbim u jepnin para”, tha Andonovska.
Ajo gjithashtu theksoi se u zbuluan edhe raste të punësimit pa kaluar një provim administrativ, ngritje në detyrë të papërshtatshme dhe pagesa të shtesave të ndryshme të pagave. Kishte gjithashtu parregullsi në sistemin e shpërblimit të punonjësve, si dhe blerje të pajisjeve mjekësore që nuk ishin të nevojshme, ndërsa mungonin pajisje të tjera të nevojshme.
Ajo gjithashtu vuri në dukje një shpërndarje të papërshtatshme të detyrave të punës, ku një teknik farmacie kryente punën e një infermieri ose laboranti, gjë që, siç tha ajo, mund të kishte ndikuar në cilësinë e shërbimeve shëndetësore.
Sipas saj, në të kaluarën, kontratat për punë lidheshin me persona që ishin tashmë të punësuar në Institut, ndërsa ambientet afariste në pronësi të ISHP-së i jepeshin me qira një furre buke, gjë që, sipas drejtoreshës, është në kundërshtim me rregulloret ligjore.
Përveç kësaj, u kryen prokurime publike që nuk ishin parashikuar në planin vjetor të punës së institucionit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ajo tha se disa punonjësve u janë paguar fonde shtesë në shumën prej 44,000 deri në 88,000 denarë në muaj për aktivitete që lidhen me materialet arkivore dhe detyra të tjera pune, përfshirë mirëmbajtjen e oborrit.
Megjithatë, ajo shtoi se një pjesë e madhe e punonjësve në Institut i kryenin detyrat e tyre profesionalisht dhe me ndërgjegje dhe apeloi që të mos i fusnin të gjithë punonjësit në të njëjtën “thes”.
Sipas saj, shumica e parregullsive të identifikuara tashmë janë kapërcyer dhe institucioni po punon për krijimin e një sistemi më të mirë kontrolli dhe llogaridhënieje.
Drejtoresha njoftoi dje se midis parregullsive në ISHP është edhe prokurimi i një kablli interneti 15 kilometra të gjatë, me vlerë rreth 15.000 euro, për të cilin, siç thotë ajo, nuk ka asnjë gjurmë se ku ndodhet.
Për të festuar 100-vjetorin e Institutit, tha ajo, u shpenzuan rreth 50.000 euro për një aktivitet njëorësh, i cili, shtoi ajo, është shembull i shpenzimit të papërshtatshëm të fondeve.
“Gjithashtu përcaktuam se 50.000 euro u shpenzuan në një orë për të festuar 100-vjetorin e Institutit të Shëndetit Publik. Pra, për çfarë mund të shpenzohen 50.000 euro në një orë? Për më tepër, nëse ligji lejon 1.000 euro ose 62.000 denarë për të blerë fonde të caktuara që ju nevojiten pa shpallur prokurim publik, ata kanë shpenzuar mbi një milion e gjysmë përtej asaj që lejohet. Imagjinoni, 1.000 euro të lejuara, dhe ata shpenzuan mbi 20.000 euro”, tha ajo.
Sipas saj, Instituti nuk është audituar që nga viti 2017, ndërsa raporti i Entit Shtetëror të Revizionir për vitin 2024, i cili është publikuar tashmë, jep mendim të pafavorshëm mbi performancën financiare dhe përputhshmërinë e transaksioneve.
ESHR gjeti parregullsi në të dhënat e marrjes dhe konsumimit të furnizimeve mjekësore, aktivitete të pazbatuara nga Programi Kombëtar Vjetor, parregullsi në angazhimin e personave me kontratë pune, si dhe vaksina të paregjistruara në librat e biznesit të ISHP-së për vitin 2024.
Pasqyrat financiare për periudhën e audituar kanë qenë nën përgjegjësinë e drejtorit të atëhershëm mjekësor, prof. dr. Shaban Memeti, i cili e ka ushtruar funksionin deri më 19 korrik 2024, si dhe të ushtrueses aktuale të detyrës së drejtoreshës, bashkëpunëtores shkencore dr. Marija Andonovska, e cila e ka marrë funksionin nga e njëjta datë.





