Real Madridi nuk ka arritur më shumë se një barazim 0-0 përballë Rayo Vallecanos në ndeshjen e zhvilluar në Santiago Bernabeu.
Përkundër se krijuan raste pa fund, Los Blancos nuk arritën të dërgonin topin në rrjetë dhe në fund nuk ia dolën të ndalnin tre pikët në kryeqytetin spanjoll.
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka thënë pas ndeshjes se nuk duhet të bëjnë dramë këtë barazim, pasi ishin skuadra më e mirë në fushë.
“Shumë mundësi u krijuan, na mungoi saktësia në repartin ofensivë. Jemi të lënduar nga rezultati, ndeshja ishte e mirë për mendimin tim”, tha Ancelotti pas ndeshjes.
“Nuk jam i shqetësuar, loja është luajtur me krosime, me pasime vertikale… Ne u përpoqëm në të gjitha mënyrat, nuk ka funksionuar dhe kjo mund të ndodhë. E rëndësishme është ta krijojmë deri në fund dhe ta bëjmë. Ne jemi përpjekur deri në minutën e fundit”, vazhdoi tutje trajneri italian.




