Borxhi publik dhe shtetëror do të rriten edhe këtë vit. Në Strategjinë e rishikuar për Menaxhimin e Borxhit Publik, kufijtë e huamarrjes janë “zhvendosur” përsëri. “Konsolidimi fiskal i borxhit” i pritur dhe i paralajmëruar do të presë deri në vitin 2029 apo 2030. Për fillimin e këtij viti, një eurobond prej 1 miliard eurosh, një kredi e paralajmëruar prej 20 milionë eurosh për projekte infrastrukturore dhe 40 milionë euro të tjera kredi nga një bankë tregtare, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Borxhi publik në “letër” i kufizuar në 60%, në realitet mbi 62%
Financat publike morën një “injeksion” prej 1 miliard eurosh. Në të njëjtën ditë, shteti emetoi dy eurobonde me shumën më të lartë historike. Më parë, me vendim të qeverisë, shteti mori një kredi afatshkurtër nga një bankë tregtare në shumën prej 40 milionë eurosh, ndërsa nëpërmjet një zgjidhjeje ligjore, u mor edhe një kredi prej 20 milionë eurosh për infrastrukturën lokale. Të gjitha këto kredi të realizuara dhe të paralajmëruara në fillim të këtij viti ekonomik tregojnë se borxhi publik është në rritje – një trend që tashmë është shënuar në dokumentin e ri të rishikuar – “Strategjia për Menaxhimin e Borxhit Publik”. Si në këtë version, ashtu edhe në atë fillestar, të dokumentit, në “letër” është shkruar se kufiri i Borxhit Publik duhet të jetë 60% e PBB-së.
“Për ta mbajtur nivelin e borxhit publik brenda një kornize të qëndrueshme, pa e prishur qëndrueshmërinë fiskale, përcaktohet kufiri i totalit të borxhit publik në afat të mesëm dhe në afat të gjatë, i cili nuk duhet ta kalojë nivelin prej 60% të PBB”, thuhet në dokument.
Përkundër kësaj, jo vetëm që ky objektiv nuk po arrihet, por shuma e borxhit publik është zhvendosur lart me parashikimet e reja buxhetore. Këtë vit, borxhi publik do të arrijë në 62% të PBB-së, ose 11 miliardë euro, ndërsa borxhi shtetëror do të rritet në 53,3%. Jo vetëm këtë vit – borxhet do të rriten edhe vitin tjetër, 2027.
“Borxhi publik do të tejkalojë pragun maksimal prej 60% të PBB-së deri në vitin 2028, d.m.th. në vitin 2026 borxhi publik do të arrijë në 62,0% të PBB-së, në vitin 2027 60,1% dhe në vitin 2028 borxhi publik do të shënojë një rënie të moderuar, gjegjësisht do të jetë 60,9% të PBB-së si rezultat i konsolidimit gradual fiskal”, thuhet në strategjinë e rishikuar.
Këtë vit, huamarrja neto në bazë të borxhit të garantuar (kredi të kompanive shtetërore, komunave, ndërmarrjeve publike) për të cilat garanton shteti do të arrijë në 250.000.000 euro. Për të mbrojtur portofolin e borxhit shtetëror nga tronditjet e mundshme të tregut në të ardhmen, të paktën 60% e borxhit shtetëror, sipas Ministrisë së Financave, do të jetë me kamatë fikse, ndërsa mbi 95% e borxhit shtetëror në valutë të huaj do të “mbahet” në euro.
Qeveria aktuale ka emetuar eurobondin e dhjetë me radhë, që është shuma më e lartë në histori. Sipas njoftimeve, 70% e parave do të shpenzohen për shlyerjen e bondit të maturuar prej 700 milionë eurosh që u emetua në vitin 2020.
Qeveria “ankohet” për borxhet e trashëguara, opozita e akuzon për krijimin e borxheve të reja
Sipas qeverisë, arsyeja për borxhin në rritje janë kreditë e qeverive të mëparshme që duhet të shlyhen këtë vit dhe në vitet në vijim. Eurobondi i ri “i dyfishtë” në vlerë prej 1 miliard eurosh do të përdoret për të shlyer një pjesë të atyre borxheve, që do të thotë se me një kredi të re, shteti do të shlyejë një kredi të vjetër.
“Edhe pse shuma nominale e huamarrjes është një miliard euro, gjatë vitit 2026 Ministria e Financave do të kryejë pagesa për detyrimet e borxheve të jashtme në një shumë totale prej afërsisht 893 milionë eurosh. Prandaj, efekti neto mbi borxhin publik është dukshëm më i ulët dhe plotësisht në përputhje me kornizën fiskale afatmesme”, tha ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Sipas LSDM-së opozitare, huamarrja e re prej 1 miliard eurosh është dëshmi e “vrimës” së thellë në buxhet.
“Ne paralajmëruam se kishte një boshllëk të madh në buxhet. Mungojnë rreth 2 miliardë euro. Konkretisht, në anën e të ardhurave, ka një mungesë prej 500 milionë eurosh, kurse deficiti buxhetor është 680 milionë euro. “Obligimet e prapambetura dhe të papaguara ndaj subjekteve ekonomike arrijnë në 700 milionë euro”, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Sipas parashikimeve të reja të Bankës Botërore, këtë vit borxhi publik do të arrijë në 62,9% të PBB-së ./Portalb.mk.



