Analizë e zgjedhjeve parlamentare të 15 korrikut

Shkruan: Valon ELEZI, Kumanovë

Zgjedhjet, që i kaluam, ndoshta ishin të parashikueshme sa u përket numrave të përafërt dhe betejave të ngjeshura mes partive politike, por jo edhe numrit të përgjithshëm të mandateve dhe daljes ose mosdaljes te elektorati shqiptar dhe ai maqedonas.
Duke filluar me analizën e numrave dhe duke dashur që në mënyrë më të qartë ta shprehim pikërisht atë çfarë ndodhi në këto zgjedhje, do të bëjmë një krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2016. Në zgjedhjet e vitit 2016, nga 1.784.416 votues gjithsej, të drejtën e votës e shfrytëzuan 1.191.852 qytetarë ose 66.79%, që konsiderohet dalje e lartë, ndërsa në zgjedhjet e këtij viti nga gjithsej 1.814.263 votues, të drejtën e votës e shfrytëzuan 943.750 qytetarë ose 52.01%. Duke i lënë anash e duke mos kalkuluar votat e pavlefshme, vijmë në përfundim se në këto zgjedhje kemi dalje më të ulët, një numër prej 280.891 votash.

Kush humbi dhe kush fitoi?
Nëse i analizojmë të gjitha zonat, gjë të cilën e keni bërë në përshkrimet në vijim, numrat tregojnë se vota e elektoratit maqedonas ka rënë për 271.246 vota krahasuar me vitin 2016 ose 27.62%, ndërsa vota shqiptare ka rënë me një rënie jo edhe aq të madhe, me 9.645 vota ose 4.59%. Kjo rënie ka ndodhur në njësinë zgjedhore numër 6, ndërsa në njësitë zgjedhore numër 1, 2 dhe 5 ka rritje të votës shqiptare. Pra, thënë më saktë, në vitin 2016 partitë politike maqedonase kanë pasur gjithsej 981 958 vota, ndërsa në zgjedhjet e 15 korrikut të këtij vitit kanë rënë në 710.712 vota. Në kampin politik shqiptar elektorati shqiptar i vitit 2016 dhuroi për partitë politike shqiptare 209.894 vota, ndërsa me 15 korrik dha 200.249 vota.
Nëse pyesim se kush fitoi, atëherë është e qartë se fitoi elektorati shqiptar, i cili kësaj radhe fitoi 32 mandate për deputetë (katër prej të cilëve janë pjesë e Lëvizjes Besa në koalicionin me LSDM-në), ndërsa humbës është elektorati maqedonas. Nëse futemi në analiza më të detajuara në atë se çfarë ndikoi në mosdaljen e elektoratit maqedonas, atëherë vijmë te shumë përgjigje, si: virusi Covid 19, pakënaqësisë ndaj partive politike maqedonase, sidomos çështja e ndryshimit të emrit të shtetit, e deri te zyrtarizimi i gjuhës shqipe, edhe pse te kjo e fundit nëse shohim me llupë më të saktë, ka shumë hapësirë kritikash për ngecje, sepse zbatimi i përdorimit të gjuhës shqipe vonohet dhe nuk ka arritur përparim të kënaqshëm.
Vlen të theksohet, siç do të argumentohet më tutje, se vota shqiptare për LSDM-në nuk do të jetë një luks siç ishte dikur, sepse në këto zgjedhje shqiptarët nuk e kanë votuar LSDM-në siç ajo mund të ketë pritur. Numrat e partive politike dhe opsioneve në listë tregojnë se në nivel republikan LSDM-ja grumbulloi gjithsej 327.408 vota ose 35.89%, duke fituar kështu 46 mandate deputetësh, VMRO-ja me 315 344 vota ose 34.5% fitoi 44 deputetë, BDI-ja me 104.699 vota ose 11.48% fitoi 15 deputetë, koalicioni Alternativa (AAA) dhe Aleanca për Shqiptarët (ASH) me 81.620 vota ose 8.95% fitoi 12 deputetë, Levica me 37.426 vota ose 4.1% i fitoi 2 deputetë dhe PDSH-ja me 13.930 vota ose 1.53% e fitoi 1 deputet.
Kësaj radhe befasinë e bën e majta ekstreme maqedonase Levica, e cila shfaq tendencat e rritjes së mendësisë nacionaliste te maqedonasit, e cila si rezultat nxori dy deputetë, edhe atë në njësinë zgjedhore numër 1, ku janë edhe lagjet urbane të Shkupit, që është për t’u analizuar, si dhe në njësinë zgjedhore numër 3.
Pozitive është se vota e PDSH-së ka gjetur vend në partitë politike shqiptare dhe asgjë e saj nuk ka shkuar dëm. Votat e PDSH-së në zonat 1, 2 dhe 5 edhe ashtu nuk do të bënin dobi për partitë e tjera politike shqiptare.

Njësia zgjedhore nr. 1
Në njësinë zgjedhore numër 1 të drejtën për të votuar e shfrytëzuan 164.287 qytetarë, krahasuar me 217.823 qytetarë në vitin 2016. Kemi, pra, një rënie për 24.5% ose 53.536 vota. Por, në njësinë zgjedhore numër 1 vota shqiptare u rrit për 2.684 vota ose 8.1%, nga 33.107 në 35 791, ndërsa një debakël të keq përjetoi vota maqedonase, e cila nga 184.716 sa ishte në vitin 2016, tani ra në 124.088 vota ose për 32.82%.
Sidoqoftë, LSDM-ja grumbulloi 54.618 vota, VMRO-ja 50.564 vota dhe Levica 12.000 vota. Ndërsa te partitë politike shqiptare, BDI-ja mori 19.488 vota, AAA-ASH 14.337 dhe PDSH 1966 vota. Sipas formulës së D’Hondit, matematikisht, deputetin e fundit e fitoi LSDM-ja me 6.825 vota, e cila në total i fitoi 8 deputetë në këtë zonë, VMRO 7, BDI dhe AAA-ASH nga 2 deputetë dhe Levica e mori 1 deputet. Shqetësues mbetet cenimi i votës opozitare te partitë politike shqiptare për shkak të tendencave jodemokratike të fitimit të votave në fshatrat e Sarajit.

Njësia zgjedhore numër 2
Edhe në njësinë zgjedhore numër 2 ndodhi një fuqizim i votës shqiptare përballë asaj maqedonase. Vlen të potencohet se nga 203.923 votues në vitin 2016, në këto zgjedhje votuan 158.804 qytetarë, duke shënuar një rënie prej 45.119 votash ose, konvertuar në përqindje, 22.12%. Vota shqiptare u rrit në terma simbolikë, vetëm sa për t’i thënë se është rritje, pra 168 vota ose 0.37%: nga 44.976 në vitin 2016 në 45.144 vota tani. Por, rënia e votës maqedonase është shumë evidente: nga 152.114 sa ishte në vitin 2016, në 107.077 në zgjedhjet e tanishme ose një rënie për 29.60%.
Koalicioni AAA-ASH me 20.912 vota i fitoi 3 deputetë, aq sa fitoi edhe BDI me 22 374 vota. Deputetin e tretë, sipas formulës së D’Hondit, AAA-ASH e fitoi me 6.970 vota, respektivisht BDI me 7458, terma komod këto pasi që deputetët e fundit në këtë njësi i morën VMRO me 6.846 dhe LSDM me 6.840 vota. Levica po të fitonte edhe 946 vota më tepër, do ta fitonte 1 deputet në këtë njësi duke ia minusuar një deputet të LSDM-së. Është e qartë se LSDM-ja nuk e ka pasur votën shqiptare si dikur, ndërsa ndihma e Lëvizjes Besa, edhe pse duhen analiza më të detajuara, mbetet e vogël dhe jo aq sa kanë pritur nga LSDM-ja. Ndërkaq fitorja e koalicionit AAA-ASH ndaj BDI-së në Kumanovë, siç duket e bën Kumanovën terren të vështirë për BDI-në, ndërsa Likova vazhdon të jetë bastion i saj.

Njësia zgjedhore numër 3
Nga 204.193 votues në vitin 2016, tani në këtë njësi votuan 162.648 votues ose 41.545 vota më pak, që konvertuar në përqindje janë 20.34%. Meqenëse në këtë njësi u shënuan 4.565 vota simbolike për partitë politike shqiptare, duke larguar edhe votat e pavlefshme, vijmë në përfundimin se nga 194.610 vota maqedonase në vitin 2016, tani ky numër ka rënë në 151.584 ose për 43.026 vota, pra një ulje për 22.10%. Meqë, sipas formulës dhe kalkulimit për deputetin e nëntë, Levica ka marrë 1 deputet ndaj LSDM-së për 256 vota, është i çuditshëm mos reagimi dhe mos ankimimi i LSDM-së në KQZ, sidomos për faktin se VMRO-ja ka fituar 10 deputetë në këtë zonë. A thua një gjë e tillë lë hapësirë për kalkulime të tjera që mund të bëhen tani e tutje për formimin e qeverisë? Kjo mbetet të shihet.

Njësia zgjedhore numër 4
Në njësinë zgjedhore numër 4 po ashtu kemi një rënie të votës. Nëse në vitin 2016 nga 282.537 votues të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 211.897 ose 75%, në zgjedhjet e 15 korrikut nga 282.506 vota të mundshme, në kutitë e votimit u futën 171.690 fleta votimi ose 60.77%. Interesant në këtë njësi është fakti se lista zgjedhore e votuesve ka rënë vetëm për 31 votues e që vlen të analizohet, sidomos kur e kemi parasysh normën e mortalitetit, ndërsa prej zgjedhjeve të vitit 2016 kanë kaluar tre vite e gjysmë. Përderisa vota shqiptare është krejt simbolike, 481 vota në vitin 2016, ndërsa tani 506 vota, vota maqedonase, krahasuar me vitin 2016 kur shënonte 205.011 vota, tani ka rënë në 164.599, pra më pak për 40.412 vota ose 19.71%.
Në këtë zonë, me numrat e fituar, LSDM-ja dhe VMRO-ja i ndanë nga 10 deputetë. Levica, e cila grumbulloi 6.835 vota, nuk e arriti pragun për të fituar një deputet, meqë dalja ishte disi më mirë se njësitë zgjedhore tjera dhe kështu pragu për deputet kërkonte 7.448 vota ose edhe 613 vota për më tepër. Nëse kjo do të ndodhte, do të shkrihej një deputet i VMRO-së.

Njësia zgjedhore numër 5
Në njësinë zgjedhore numër 5, përveç faktit se analiza duhet të kombinohet me analizën e njësisë numër 6 për shkak të Dibrës e Mavrovës dhe Rostushës, kësaj here kemi një fenomen zgjedhor dhe lëvizje të konsiderueshme numrash edhe në pjesë tjera të kësaj njësie. Fillimisht, duke pasur parasysh faktin që për shkak të rënies së numrit të votuesve në listën e kësaj njësie, u vendos që pjesa e Dibrës, e cila i takonte njësisë zgjedhore numër 6, por edhe Mavrova dhe Rostusha, t’i bashkohen kësaj njësie. Numrat tregojnë se Dibra, tash vetëm në njësinë zgjedhore numër 5 nuk e ka determinuar numrin e mandateve te partitë politike shqiptare e as te ato maqedonase. Për hir të shfaqjes së faktit se sa të çuditshëm janë numrat, do t’i sqarojmë detajisht.
Nëse vota shqiptare në zgjedhjet e vitit 2016 për partitë politike shqiptare, asokohe në Dibrën e njësisë zgjedhore numër 5 shënonte 2.357 vota, ajo e njësisë numër 6 shënonte 2.232 vota, e që mbledhur në tërësi do të ishte 4.589 vota, vota shqiptare e Dibrës në zgjedhjet e këtij viti shënon 4.585 vota, pra vetëm 4 vota më pak. Te partitë politike maqedonase vota ka shënuar rënie. Në Dibrën e njësisë numër 5 në vitin 2016 ato i nxorën 1.469 vota dhe atë të njësisë zgjedhore numër 6 i nxorën 2157 vota, e që në total arrin shifrën prej 3.626 votash, e krahasuar me 2.625 votat maqedonase të zgjedhjeve të fundit, na del në pah se janë 1.001 vota maqedonase më pak ose 27.60%.
Kur jemi te Mavrova dhe Rostusha, vend ku dominon vota maqedonase, duhet të përmendim se edhe aty po ashtu ka rënie. Vota maqedonase nga 3.215 në vitin 2016, ka rënë në 2.608 ose për 607 vota ose për 18.88%. Vota shqiptare e vitit 2016 nga 324 vota ka rënë në 291 vota, që nuk luan ndonjë rol të rëndësishëm.
Përfundimi del që nga ky ndryshim është se vota shqiptare u fuqizua në njësinë zgjedhore numër 5 për 2.519 vota, ndërsa vota maqedonase për 3.764, por që nuk ndikuan në numrin e përgjithshëm të daljes në votime, sidomos duke pasur parasysh faktin e dobësimit të votës maqedonase. Ndërkaq, nëse partive politike shqiptare u minusohen votat e fituara tani për herë të parë në njësinë 5 nga njësia numër 6, atyre nuk u humb asnjë deputet.
Do të ndalemi edhe pak te njësia zgjedhore numër 5. Edhe me Dibrën e Mavrovën dhe Rostushën së bashku, kjo njësi megjithatë shënon ulje. Nëse në vitin 2016 nga 290.433 kishim diku 187 824 vota ose 64.67%, ndërsa në këto zgjedhje nga 314.489 kemi një dalje prej 160.146 ose 50.92%. Ndërkaq vota shqiptare e vitit 2016 prej 29.926 është rritur me 797 vota, duke shtuar edhe 2.519 votat e lartpërmendura nga Dibra e Mavrova dhe Rostusha, vota shqiptare arriti në numrin 33 242, që shënonin një rritje për 3.316 vota ose 11.08%.
Vota maqedonase në këtë njësi nga 151.978 sa ishte në vitin 2016, ka rënë në shifrën 121.159 ose për 30 819 vota më pak, që shprehur në përqindje është 20.27%.
Meqë LSDM-ja dhe VMRO-ja me 56.622 dhe 55.159 vota fituan nga 8 mandate deputetësh, te partitë shqiptare ndodhi një shpërngulje e habitshme votash te BDI-ja, e cila grumbulloi 21.745 vota, duke fituar 3 deputetë, ndërsa koalicioni AAA-ASH mori 10.716 vota, duke fituar 1 deputet. Tendencat për zgjedhje që nuk i ka hije kulturës politike kanë ndodhur pikërisht në këtë njësi. Edhe pse flitet e përflitet se kandidati i dytë i BDI-së në këtë njësi ka tërhequr mjaft votues nga komuniteti i myslimanëve maqedonas (ose, siç njihen, torbeshë), si edhe për arsye se disa komuna andej janë bastione të BDI-së, megjithatë është vështirë të arsyetohet një hendek i tillë aq i thellë në numra. Për ta shprehur më qartë e më saktë le ta marrim për shembull Kërçovën, Dollnenin, Pllasnicën dhe Krushevën. Në vitin 2016 BDI-ja numëronte këtu 5.734 vota përballë 2.465 votave të opozitës, pra një dallim prej 3.269 votash, ndërsa në këto zgjedhje BDI-ja u ngrit për 1.915 vota, duke arritur në numrin 7.649 vota përballë 1.493 votave të partive politike shqiptare, që pësuan rënie për 972 vota, edhe pse opozita shqiptare tani ishte më e unifikuar. Bilanci përfundimtar del se vetëm këtu BDI-ja mori 6.156 vota më tepër e që në terma të tjerë i bie që vetëm me këto vota ka siguruar 90% të numrave për deputetin e tretë. Këto elemente e bëjnë mjaft shqetësues terrenin e zhvillimit të demokracisë në kampin politik shqiptar, sidomos gjatë cikleve zgjedhore. Dhe, si të tilla, këto elemente me gjasë ndikuan që BDI-ja ta bëjë diferencën në këto zgjedhje.

Njësia zgjedhore numër 6
Njësia zgjedhore numër 6 e gëzon epitetin e betejës më të madhe politike te partitë politike shqiptare për sa i përket numrave. Numri i përgjithshëm i votave, krahasuar me vitin 2016, ka rënie, duke shënuar rënie edhe vota shqiptare edhe ajo maqedonase. Në vitin 2016 nga 307.817 votues, të drejtën për të votuar e shfrytëzuan 157.960 qytetarë ose 51.32%. Në zgjedhjet e 15 korrikut, nga 309.727 votues të drejtën e votës e shfrytëzuan 126.175 votues ose 40.73%. Përderisa në vitin 2016 kishim 99.675 vota shqiptare, tani kemi arritur në numrin 81.001, pra 18.674 më pak ose 18.73%. Nga votimi i realizuar dhe nga 2.519 votat shqiptare të njësisë numër 6 në njësinë numër 5, të dhënat tregojnë se nga minusimi i njësisë numër 6 në njësinë numër 5 shkojnë vetëm 13.48% të votave, të cilat janë “as mirë atje e as dëm këtu”. Te partitë politike maqedonase, nga 54.449 vota në vitin 2016, kësaj here numri u ul në 42.205, pra për 12.244 vota më pak ose 22.48%. Ndërkaq 3.764 votat e realizuara maqedonase në njësinë numër 5, të kaluara nga njësia zgjedhore numër 6, janë diku 30.74% e numrit të tërësishëm të votave të munguara në njësinë zgjedhore numër 6, që matematikisht i kanë dëmtuar partitë politike maqedonase në këtë njësi, pra në njësinë zgjedhore numër 6. Në rastin konkret, LSDM-ja do të ishte më larg, sepse do t’i duheshin 3.534 vota për deputetin e pestë, ndërsa VMRO-ja me vetëm 395 vota më tepër do ta merrte deputetin e tretë në dëm të BDI-së, e cila do ta humbiste deputetin e shtatë. Pra, kalkulimet përcaktojnë se partitë politike shqiptare kanë pasur edhe fat të mirë në këtë cikël zgjedhor. Fakti që VMRO-ja nuk lëshoi ankesë për ta fituar deputetin e tretë në dëm të BDI-së, lë hapësirë për të menduar se këto dy parti politike vazhdojnë të koketojnë me njëra-tjetrën.
Por, le të analizojmë pak se çfarë ndodhi me shpresën e madhe të LSDM-së në njësinë numër 6, e cila ishte e lidhur me koalicionin me Lëvizjen Besa. Nëse numrat e VMRO-së nga 26.193, sa ishin në vitin 2016, ranë në 15 663, atëherë, bazuar në ritmin e numrave në zonat tjera, do të duhej edhe numrat e LSDM-së të bien diku për 6-10 mijë vota. Mirëpo, siç duket, një numër i votave të Besës, e që duhet të jetë më i vogël se 10 mijë, dhe disa votave shqiptare të pavarura, por të pakta në numër, e kanë shpëtuar LSDM-në nga një dështim i plotë në këtë njësi. Por, megjithatë, matematika e ambicieve, e cila mbështetej te Lëvizja Besa, aspak nuk ka dalë mirë për LSDM-në, e cila ka pritur numra më të mëdhenj, madje synonte edhe 6 deputetë, ndërsa Besa – me aq pak elektorat – edhe siguroi, nëse mund të themi, mbijetesë politike edhe 4 deputetë. Komuna e Zhelinës është shembulli më i mirë. Përderisa në vitin 2016 Besa e atëhershme e unifikuar mori shumicën e votave, po ashtu edhe fitoi këtë komunë në vitin 2017, tani atje numrin e përmbysi BDI-ja, duke dhënë mjaft sinjale për t’u kuptuar. Mbetet të shihet çfarë do të reflektojë ky çekuilibër numrash mes LSDM-së dhe Besës.
Edhe Kërçova, edhe një cikël zgjedhor, shënon një element shqetësues, tradicional ky që nga viti 2002, e që ka të bëjë me rezultatin tepër të thellë në numra të BDI-së përballë të gjitha partive të tjera shqiptare, e që shumë pak mund të merret si vullnet i vërtetë i elektoratit shqiptar atje. 5.658 votat e BDI-së atje, në krahasim me 1.502 votat e koalicionit AAA-ASH, të japin të kuptosh se jo vetëm partitë politike shqiptare, por shqiptarët në përgjithësi si qytetarë të këtij vendi, meritojnë një proces më të drejtë zgjedhor, ku qytetari do të jetë më i lirë të vendosë se çfarë opsioni do të përzgjedhë për ta përfaqësuar.

Epilogu
Analiza e numrave gjatë një cikli zgjedhor mund të shpërfaqë shumë elemente dhe parametra, si: nevoja e strukturimit të partive politike në vende të caktuara, hulumtimi i terrenit për elektorat shtesë dhe analiza të tjera statistikore, por për fat të keq shpërfaq edhe masakrat elektorale në numra, që bëhen e që fatkeqësisht janë traditë e vonesës së proceseve demokratike tek ne, edhe pse Republika e Maqedonisë së Veriut tanimë është pjesë e NATO-s dhe vend që fitoi statusin e shtetit kandidat për inkuadrim në Bashkimin Evropian. Siç duket, një shkelje e së drejtës së votuesit të lirë ndodhi edhe në zgjedhjet e 15 korrikut.
Numrat e kanë aq të largët kufirin e analizave, saqë mund të realizohen analiza të holluara e stërholluara në tërë vendin, në secilën njësi zgjedhore, e madje edhe për komuna, lagje e, madje, edhe vendvotime enkas, ku mund të krijohen kombinacione e të nxirren përfundime të caktuara.
Këto zgjedhje shfaqën fuqizimin e votës shqiptare, sidomos në zonën numër 1 dhe 2, katastrofën dhe masakrën elektorale në zonën numër 5, rënien e votës maqedonase në tërësi dhe rënien e votës shqiptare në zonën numër 6. Kur themi “fuqizimi i votës shqiptare”, duhet të kemi parasysh se një gjë të tillë nuk e bëri rritja e votës shqiptare aq shumë, por rënia e dukshme e votës maqedonase.
Tingëllon ironike, por të vetmet parti politike që kanë ngritje janë BDI-ja dhe Levica nacionaliste. Nga 86.796 vota në vitin 2016 në 104.699 vota në vitin 2020, rritja e BDI-së shënon 17.903 vota ose 20.62%, gjë që duhet të futet në analiza më të detajuara, edhe pse për këtë subjekt politik janë shumë evidente metodat aspak demokratike të fitimit të votës.
Levica nga 12.120 vota në vitin 2016, ka arritur në 37.426 vota këtë vit, pra ka rritje për 25.306 vota më shumë ose 208.7%, pra rritje të dyfishuar.
Për koalicionin AAA-ASH, i cili fitoi po ashtu një numër të kënaqshëm votash, e që cilësohen si vota plotësisht të vullnetit të mirë qytetar, pra 81.620 vota, është vështirë të kalkulohet duke pasur parasysh se janë dy parti politike brenda tij dhe për shkak të ndryshimeve të tjera që kanë ndodhur prej vitit 2016 e këndej.
PDSH-ja, nga 30.964 vota në këto zgjedhje ka rënë në 13.930 vota, që paraqet një rënie prej 17.034 votash ose për 55.01%. Për çudi numri i votave të humbura të PDSH-së është tepër i afërt me votat e shtuara të BDI-së (17.903 – 17.034 = 869), edhe pse për të kalkuluar se ku është pozicionuar vota e PDSH-së në nivel republikan, duhen analiza edhe më të thella. LSDM-ja nga 436 981 pësoi rënie në 327.408, pra një rënie për 109.573 vota ose 25.07%, ndërsa VMRO-ja nga 454.577 në 315.344, pra një rënie për 30.62%. Siç shihet, përveç bojkotit, 25 mijë votues maqedonas vendosën ta përzgjedhin Levicën si opsion të tyre.
Kalkulimet për qeverinë janë shumë të përafërta dhe priten të jenë të vështira. Refuzimi i çdo ankimimi të opozitës drejtuar KQZ-së lë shumë hapësirë dyshimi, ndërsa ndërtimi i kulturës demokratike në këtë vend, si duket, do të ketë nevojë edhe për shumë kohë e mund. Le ta dëshmojë koha, ndonëse edhe koha ka nevojë për njerëz të denjë!