Kush frikësohet dhe pse frikësohet nga ndryshimi i modelit zgjedhor në një njësi të vetme zgjedhore dhe me lista të hapura? Nëse zgjedhjet e 12 prillit të vitit 2020 do të mbaheshin sipas modelit me një njësi zgjedhore, sipas numrit të votave, VMRO-DPMNE do të merrte 48 deputetë, LSDM 47, BDI 9, Lëvizja Besa 6, Aleanca për Shqiptarët 3, PDSH 3. Sipas kësaj BDI do të humbte 1 deputet ndërsa BESA do të fitonte 3 deputetë. Analisti Xhelal Neziri thotë se listat e hapura u japin mundësi qytetarëve të zgjedhin se cilin deputet në veçanti duan të votojnë, raporton TV21
“Një njësi e vetme zgjedhore nuk do të ulë numrin e deputetëve shqiptarë. VMRO DPMNE dhe BDI në periudhën e kaluar kanë qenë në pushtet dhe e njohin mirë këtë gjeografi aktuale me gjashtë njësi zgjedhore dhe kjo gjeografi ju ka sjell fitore të një pas njëshme. Ndryshimi i këtij modeli do të prishte gjeografinë fituese të dy partive dhe do të vinte në pikëpyetje edhe rezultatin në zgjedhjet e ardhshme. Me shumë është mbrojtje të interesave partiake që ndërlidhen me gjeografinë elektorale sesa me mbajtjen llogari të numrit të deputetëve shqiptarë”, deklaroi Xhelal Neziri.
Por cilat janë përparësitë e modelit me gjashtë njësi zgjedhore e cilat janë të një njësie të vetme zgjedhore? Xhabir Deralla nga CIVIL thotë se modeli i tanishëm me 6 njësi zgjedhore ka më shumë dobësi sesa përparësi, ndërsa modeli me një njësi zgjedhore dobësi të vetme mund të ketë se përfaqësuesit e popullit mund të jenë të koncentruar vetëm në Shkup.
“Ky model kështu si është nuk ka ndonjë përparësi të veçantë, ka disa dobësi të cilat janë krijuar për shkak te ndarjes së territoreve dhe për shkak të numrit jo të njëjtë të votuesve në njësi të ndryshme zgjedhore. Përparësia e modelit me një njësi zgjedhore është që ky model është më demokrat në të cilën mund të marrin pjesë edhe bashkësitë më të vogla dhe partitë më të vogla të marrin më shumë përparësi dhe të mos e kenë patjetër të hynë në ndonjë koalicion që shpesh herë dinë të jenë jo principiel. Dobësi e modelit për një njësi zgjedhore është se shumica e përfaqësuesve të popullit mund të jenë nga Shkupi dhe mund të mos përfaqësohet mirë vota e votuesit nga Dellçeva, Bërvenica, Kërçova etj”, deklaroi Deralla.
E në rrjetet sociale nuk kanë munguar as përplasjet në mes LSDM-së dhe BDI-së në lidhje me modelin zgjedhor. Muhamed Zekiri nga LSDM thotë se me një njësi zgjedhore nuk humbasin shqiptarët siç pretendon BDI por humb vetëm BDI. Vjen reagimi menjëhershëm edhe nga Blerim Bexheti i BDI-së, i cili ka demantuar deputetin e LSDM Muhamed Zekiri duke thënë se njohësi i të gjithë çështjeve paska dalë me matematikë që demantojnë numrat e partisë së tij.