Analizë e thuktë shkencore e diplomatike e ambasadorit Shaban Murati

Shkruan: Prof.dr. Zeqir Kadriu

 

Në qarqet diplomatike dhe analitike të sotme, është i njohur diplomati dhe ambasadori i Shqipërisë Shaban Murati, përmes shumë veprave të botuara e promovuara në hapësirat shqiptare. Kësaj rradhe do t’i qasem një vështrimi të detajuar për librin e tij analitik me titull: “Shqiptarët e Maqedonisë prioritet i çështjes kombëtare”.

Si rrallëkush që e njeh politikën në RMV (Republikes se Maqedonise se Veriut), Shaban Murati është kampion për detajet që ka dhënë në veprën e tij, aq më shumë për politikën miope që ka zhvilluar RMV, gjatë periudhës së tranzicionit, e veçanërisht në pjesën e mandatit kur Ambasadori Shaban Murati ishte në Shkup me detyrë, Ambasador fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë.

Titulli i librit, jo vetëm që është indikativ, por edhe kuptimplotë, për vetë faktin dhe porositë që jep diplomati Shaban Murati, me ç’rast i trajton me shumë kujdes temat e ndryshme që ndërlidhen me veprimtarinë e shumë politikanëve dhe udhëheqësve shtetërorë në RMV, pas vitit 1991, kur RMV u pavarësua dhe u shkëput nga ish-Jugosllavia.
Kjo për arsyen që, një njohës i mirë i rrethanave politike në një kuazirepublikë (siç është RMV), së cilës i mohohej: Kisha dhe autoqefalia e saj, e që hapte dilema probleme të shumta të ndërthurura me fqinjët Serb; por jo vetëm kaq, kjo e ka shtyrë diplomatin me përvojë që të sqarojë, se sa i papërgjegjshëm është një popull i cili ka një grusht njerëz në një hapsirë të caktuar gjeografike dhe me sa ngulmë insiston të krijojë një shtet artificial; të cilit i mohohet Emri nga Grekët, gjuha, historia dhe tradita nga bullgarët, Autoqefalia nga Serbët, dhe vetëm shqiptarët janë ata që deri më tani nuk e kanë kontestuar për asgjë formësimin e tyre, edhe pse 40% e popullatës janë të komunitetit shqiptarë!

Në këtë Republikë që tani janë grumbulluar shumë çështje që e pengojnë aderimin e saj në BE, sepse në NATO, është pranuar vitin që shkoi; Ambasadori Murati, hedh dritë dhe reflekton për shumë detaje të cilat lidhen me RMV-në, brenda këtyre dy dekadave.
Shikuar nga aspekti politikë e diplomatic, Shaban Murati, ka dhënë detaje të shumta për RMV, dhe shkarjet diplomatike të funksionarëve maqedonas të të dy taboreve politike maqedonase, të cilat me cinizëm e demagogji e kanë penguar edhe zhvillimin e tyre drejt rrugës së BE, por edhe kanë penguar shqiptarët në vendimarrjet e shumta në Qeveri dhe në tri shkallët e pushtetit, për veprime konkrete.

Kjo duket qartë edhe në shkrimet e ambasadorit Murati, kur trajton edhe situatën në RMV, pas Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën edhe sot e kësaj dite ka hapsira të pa trajtuara e realizuara si tërësi.

Si njohës i rrethanave politike dhe Ballkanike; aq më shumë si drejtor i Akademisë Diplomatike në kuadër të MPJ (Ministrise se Puneve te Jashtme) dhe këshilltar i posaçëm për rajonin; autori hedh dritë në shumë tituj të cilën i tregon së bashku me datat e ngjarjeve dhe vitet që kanë ndodhur; gjë e cila flet për një njohje të thellë e profesionale të politikave dhe ndodhive të shumta në RMV, veçanërisht në paradokset politike në mes; Maqedonisë, Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë, të cilat në një farë mënyre edhe sot si të tilla ekzistojnë me disa ndryshime kozmetike.

Libri: “Shqiptarët e Maqedonisë prioritet i çështjes kombëtare”, në vete është një Enciklopedi e gjallë e cila do t’ju shërbejë jo vetëm diplomatëve, politikanëve, por edhe të gjithë shqiptarëve të gjeneratave të reja të cilët, është mirë që ta njohin realitetin objektiv në RMV, pas viteve të demokracisë, (1991) me ç’rast, shtetit tanimë ka emër të ri: Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV).

Ky tekst ka për t’u shërbyer njëkohësisht edhe të gjithë shqiptarëve dhe intelektualëve të cilët jetojnë në Maqedoninë e Veriut për të njohur më shumë se kaq, rrugët që ka ndjekur ky shtet përgjatë dekadave të fundit.

Autori, librin e ka ndarë në tituj e nëntituj të shumtë dhe gjithsecili prej tyre është kapitull në vete! Por me mjeshtri është ndërthurur dhe formuluar, sipas ndodhive apo edhe rrethanave që kanë ndodhur apo ka ecur në politikat e saja RMV.

Pjesa e parë flet për: Çështjen e popullit shqiptar në Maqedoni, si përbërësi kryesor dhe formimi i çështjes shqiptare, për të vazhduar më tej; Shkupi sulmon çështjen e shqiptarëve me armët e Tiranës, Maqedonia ose përralla e Breshkës, Dushi i ftohtë maqedonas mbi çështjen shqiptare; më tej me titullin; Heshtje e turpshme e qeverisë për shqiptarët, që na vret Maqedonia; për të arritur madje në pjesën me titull: Fatos Nano shet përfundimisht shqiptarët e Maqedonisë, Thika maqedonase kundër shqiptarëve, Atentat kundër një Xhamie në lagjen e Shkupit, deri te Referendumi i 7 nëntorit në Maqedoni.

Pjesa kryesore e librit trajton blofet e presidentit Branko Cërvenkovski, për Vizat e propozuara për Shqiptarët e Kosovës, madje: Një autogol i Arbën Xhaferit, Shkupi mes emrit dhe Integrimit, Ndërvartësia Maqedoni-Kosovë, Pushkëvotuesit, që trajton një çështje rreth devalvimit të Votës së shqiptarëve në RMV, Shtetësia e e një kryeministri, Rruga për në BE kalon nga Tetova, Një konsullatë në Manastir, Droga si faktor miqësie në Ballkan, Një zgjidhje hermafrodite në Shkup, A do vërtet Shkupi të hy në NATO etj?

Ajo që nxjerr në sipërfaqe, fëtyrën e vërtetë dhe skilake të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili sipas Ambasadorit, bën diplomaci liliputësh, është trajtuar me shumë kujdes nga se Nikolla, zhvillon betejë singulare kundër Bashkimit Evropian, vlen të krahasohet me përkthimin brilant të Fan Nolit për Don Kishotin, lidhur me betejat imagjinare; nga se kryeministri i RMV Nikolla Gruevski, fyen Bashkimin Evropian dhe krahason Greqinë me nazizmin. Si Don Kishot i kohës modern, N. Gruevski zgjëron gamën e veprimeve me “Projektin 2014” dhe i kundërvehet pa të drejtë Greqisë dhe fillon të bëj Don Kishotin e Manços duke emërtuar, rrugë, sheshe, me emra të vjetër antikë si: Autostradën që lidhe Serbinë me Maqedoninë me Emrin e Aleksandrit të Madh, të njohur si Korridori i 10-të; dhe për ta bërë edhe më të gjërë provokimin, Stadiumit të futbollit në Shkup i ven emrin e babait të Aleksandrit, Filipit të Dytë, emër që do t’i vehet edhe aeroportit të të qytetit të Shkupit.

Kjo sjellje, pa kurrfarë diplomacie, do të detyrojë grekët që përmes ministrit të Kulturës të asaj kohe; Antonis Samaras, përmes televizionit shtetëror grek, t’i dërgojë disa paralajmërime apokaliptike fqinjit verior; duke i thënë: Se koha punon për Greqinë dhe besoj se së shpejti Shkupi nuk do të ekzistojë më si subjekt unik. Madje, ai deklaron se Greqia nuk ka përse të trembet nga Shqipëria e Madhe dhe Bullgaria e Madhe, që do të krijoheshin pas prishjes së Maqedonisë”.(Cit.i Sh. M).

Rrugëtimi që ndjek politika e Gruevskit përgjatë një dekade, është përshkruar në pika të detajuara dhe ka reflektuar detaje të cilat mund t’i njohë vetëm një diplomat kalibri i cili ka prekur e njohur prej kohësh poltikën, jo vetëm të Gruevskit, por të gjithë garniturës së politikanëve sllavë të cilët dinakërinë dhe gënjeshtrën e kanë lajtmotiv të politikës së tyre!
“Neutraliteti proseb i Maqedonisë”, “Shkupi drejtë një veto bullgare”, “Eureka e gabuar e Shkupit”, “Pse dështoi takimi i pesë presidentëve”, ”Emri i Shkupit nga OKB në Strasburg”, janë trajtesa të cilat dëshmojnë edhe për kokëfortësinë e udhëheqijes maqedonase, por edhe për njohuritë e thella që ka Shaban Murati rreth këtyre çështjeve.

Ajo që të lë përshtypje të veçantë është edhe Teza e titulluar: Deshqiptarizimi i Kalasë së Shkupit!

Autori dhe diplomati i shquar, sikur ta ketë çdo gjë në pëllëmbë të dorës, e sqaron me fakte argumente një vepër që hedh dritë për shtrembërimin e historisë që duan brenda natës ta bëjnë maqedonasit. Autori shton se: Nuk është nevoja të gërmohet thellë në kronikat mesjetare bizantine për të lexuar se si janë ndërtuar në fshehtësi, në mes të natës, larg syve të njerzëve, kishat në tokat që historia nuk ia çertifikon pronësinë ardhësve. Nuk janë më murgj, por është qeveria e sotme e Maqedonisë e cila më 10 shkurt dërgoi fshehurazi në mes të dimrit dhe në mes të natës, rreth 100 punëtorë që do të ndërtojnë një kishë ortodokse në brendi të kalasë së Shkupit.Veprim që le një hije të zezë dhe percepcion të ligë të sjelljes së një shteti, që parapëlqen të emitojë mentalitetin bizantin në shekullin e teknologjisë informative dhe të integrimit.

Kjo për vetë faktin që historia, arkeologjia por edhe demografia; pikërisht këtë zonë e kanë shpallur si zonë Shqiptare. Lidhur me këte sa di dhe unë , janë ngritur të gjitha OJQ-të, Partitë politike shqiptare dhe shoqëria civile së bashku me Bashkësinë Fetare Islame, për kryeministrin e asaj kohe Nikolla Gruevski, duke sfiduar aleatin shqiptar në qeveri, faktorin politik shqiptar, por edhe popullin shqiptar të Shkupit, lejoi ndërtimin e befasishëm të kishës, për t’ua bërë shqiptarëve fakt të kryer maqedonizimin e Kalasë së Shkupit. Lidhur me këte drejtori politik i Nikolla Gruevskit, Pasko Kuzman, i akuzoi të gjithë shqiptarët duke u prononcuar se Shqiptarët nga mosdija reaguan mbi baza partiake. Ata menjëherë filluan të reagojnë mbi baza fetare.

Kalaja e Shkupit edhe sot e kësaj dite, mbetet dëshmitare e gjallë e vlerave kulturore historike e arkeologjike e materiale të parardhësve tanë Ilir e Pellazg, të cilët me shekuj kanë jetuar përreth saj dhe jetojnë edhe sot e kësaj dite, si një qendër e Vilajetit të dikurshëm të Kosovës; vend ku edhe në luftën e Parë Botërore me shumë përkushtim e mbrojti Hasan Prishtina, përmendorja e të cilit sot është tek këmbët e saja!

Kalaja e Shkupit, sipas disa arkeologëve shqiptarë, në vete ngërthen kishën e vjetër Iliro-dardane të shek. VI-të para erës sonë. Sipas Ambasadorit Murati, kjo daton një periudhë 200 vjet para se tributë sllave të zbrisnin në këto territore, ngase kultura e vjetër ilire nuk ka ndonjë lidhje as me sllavët, as me ortodoksinë e sotme maqedonase.

Çështë e vërteta, edhe sqarimi i Ambasadorit Murati është se qëllimi i kryeministrit Gruevski, ishte ndërtimi i kishës ortodokse maqedonase në kalanë e Shkupit, si një projekt me prapavi nacionaliste fetare dhe politike; program megalloman etniko-fetar, në kuadër të “Shkupi 2014”, i cili dëshironte të ndryshojë historinë dhe origjinën e vendbanimeve të popujve dhe civilizimeve që kanë ekzistuar në ato troje, përpara dyndjes së sllavëve në Ballkan. Qëllimi strategjik sipas ambasadorit Murati, është që të provojë me pamjet e reja vizuale të sotme se Shkupi dhe e gjithë Maqedonia, tanimë e Veriut, janë territore ortodokse maqedonase dhe se shqiptarët janë të ardhur më vonë. Për këtë qëllim është edhe programi i vjetër shtetëror i deshqiptarizimit në Maqedoninë e Veriut. Kjo shpjegon pasionin e udhëheqësve të shtetit për të mbjellur kudo simbole fetare ortodokse ashtu siç veproi edhe Akademia e shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (MANU), kur gjenezën e shqiptarëve e shënoi si ardhacak përpara 150 vitesh dhe si të tillë e publikoi në Pamfletin e quajtur “Enciklopedi”.

Një fenomen të ngjajshëm e kemi si dëshmi edhe për kishën e ndërtuar në Qendrën e Skijimit tek “Kodra e Diellit” në Tetovë që u ndërtua në vitin 1997, ku nuk e viziton asnjë njeri nga se rrethe e përqark këtyre zonave nuk ka asnjë ortodoks maqedonas. Sipas Ambasadorit Murati vendosja e kryqeve në sahat-kullat në Manastir dhe në qendrat tjera për të kulmuar me kryqin gjigant që vendosi qeveria e ish kryeministrit Lupço Gjeorgjievski në “Vodno” mbi Shkupit. Në këtë vijë qe edhe projekti i ndërtimit të një kishe ortodokse maqedonase në themelet e shtëpisë së Nënë Terezës në qendër të Shkupit. E gjithë kjo bëhet me qëllim që të dominohet kryeqyteti me lartësi dhe simbole fetare ortodokse maqedonase. Shkuarja nga skena politike e Nikolla Gruevskit u prit me entuzijazëm nga ana e shqiptarëve autokton në Maqedoninë e Veriut, sadoqë shteti shqiptar pas ndëshkimit me disa vite burg nga drejtësia maqedonase, Gruevskit i hapi krahun që të aratiset për azil politik në Hungari, duke kaluar ilegalisht nga Shqipëria.

Për ta përfunduar, temat e tjera të trajtuara me shumë kompetencë e profesionalizëm të ambasadorit Murati , që hedhin dritë edhe për shumë çështje të rëndësishme për ta përmbyllur me Tri teza idiote Ruse për Maqedoninë dhe Shqiptarët e Maqedonisë-prioritet i çështjes kombëtare që aktualisht është përbërësi kryesor i çështjes së pazgjidhur shqiptare në përgjithësi.

Veprat e tjera të ambasadorit Murati, janë poashtu dëshmi e gjallë e një realiteti politik që po na ndjek në vazhdimësi!