Analiza: Ja çka po e tensionon Aleksandër Vuçiqin – Albin Kurti dhe Vjosa Osmani erdhën në pushtet për këtë arsye

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajcak, i ka shkruar letër kryeministrit, Albin Kurtit, për ta uruar këtë të fundit për marrjen e pozitës së shefit të Qeverisë së Kosovës.

Mirëpo Miroslav Lajçak në letrën e tij ka theksuar se është i gatshëm për të vazhduar dialogun pa vonesa, derisa thotë se do t’i mbështesë Kosovën dhe Serbinë në rrugën drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Unë zotohem vendosmërisht që do t’i mbështes të dy palët për t’i vazhduar pa vonesa takimet në kuadër të Dialogut me Beogradin, të lehtësuar nga BE-ja. Vazhdimi i Dialogut do të na mundësojë të bëjmë progres i cili do të sjellë dobi për të dy palët në vitet që vijnë. Mezi pres të ju takoj në Bruksel, posa situata të na lejojë, dhe të diskutojmë personalisht për punën tonë të përbashkët që na pret”, thuhet në letrën e dërguar nga Lajçak për Kurtin, ndërkohë ky i fundit ka bërë të ditur se dialogu me Serbinë, nuk është as në mesin e pesë prioriteteve të Qeverisë së tij.

E sipas profesor, doktor Enver Bytyçi, Miroslav Lajçak është njeri kontravers në misionin e tij në dialogun me Serbinë.

“Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, është ri konfirmuar këto ditë në detyrën e tij dhe për pasojë ai është i interesuar që të mos dështojë në këtë funksion. Jo për të justifikuar paratë e taksapaguesve evropiane, por për të rrit reputacionin e tij në shkallë evropiane dhe ndërkombëtare. Nëse ai e zgjidh këtë konflikt, ose nëse e çon deri në fund këtë mision, ai fiton kreditë politike të mëdha. Por Lajçak është edhe kontrovers në këtë mision. Sepse e gënjen mendja se do të realizojë një zgjidhje të padrejtë dhe në dëm të Kosovës, për pasojë në dobi të Serbisë”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, Lajçak duhet të mësohet me kërkesën e shqiptarëve, që Serbia është ajo që ka bërë krime në Kosovë.

“Nga ajo çfarë konstatoj në qëndrimet e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit më rezulton se kjo tashmë nuk do të ndodhë. Pra nuk mundet që Lajçak të jetë aq produktiv për realizimin e interesave të Serbisë në Kosovë. Kjo do të thotë se Lajçak do të duhet të mësohet tashmë me kërkesën e shqiptarëve që “Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet kundër njerëzimit në Kosovë”. Nga ana tjetër duhet të mësohet me kundërshtinë e institucioneve të Kosovës për të mos pranuar një asociacion një etnik, derisa Kosova është i shpallur shtet multietnik i qytetarëve të saj”, thekson Bytyçi.

“Ardhja e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në krye të shtetit të Kosovës nuk ka ndodhur rastësisht, as pa “miratimin” e aleatëve të Kosovës. Këta i solli në pushtet jo vetëm korrupsioni dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar në trekëndëshin e shteteve Shqipëri-Kosovë-Serbi, por edhe intriga e tre krerëve të këtyre shteteve për të ndryshuar kufijtë në Ballkan. Vjosa dhe Albini erdhën si alternativë e luftës kundër padrejtësive, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe si alternativë e ruajtjes së paqes e stabilitetit të rajonit përmes forcimit të shtetësisë së Kosovës”, shton profesor Bytyçi.

Bytyçi shton se zgjidhje të konfliktit midis të dy vendeve nuk do të ketë derisa Serbia ta pranojë shtetësinë e Kosovës.

“Por sa kohë që Vuçiq sillet me arrogancë me Kosovën dhe aleatët e saj, SHBA-të, Bashkimin Europian, Gjermaninë. Britaninë e Madhe etj, aq kohë Albini dhe Vjosa do ta kenë mundësinë që dialogun me Beogradin ta rendisin në vendin e pestë a të gjashtë. Lajçak në letrën e tij kërkon vazhdimin e dialogut. Kjo mund të ndodhë. Askush në Prishtinë nuk është kundër dialogut, përveçse Vuçiçit në Beograd. Por zgjidhje të konfliktit midis të dy vendeve nuk do të ketë derisa Serbia ta pranojë shtetësinë e Kosovës. Nuk mundet Lajçak të detyrojë krerët e institucioneve të Kosovës të nënshkruajnë kapitullimin dhe shuarjen e shtetit e zhdukjen e pavarësisë së vendit. Nuk mundet as Vuçiç ta zhbëjë shtetësinë e Kosovës, edhe sikur të bëhet ufo. Nuk ka shans”, nënvizon Bytyçi.

Ai shton se Vuçiq po sillet me arrogancë me qëllim që t’i mashtrojë qytetarët e vet.

“Ai, njësoj si Edi Rama në Shqipëri, vetëm mashtrimin ka profesion. Ndaj e përzgjodhi Milosheviçi si Gebelsin e vet. Por Rama është më Gebels se Gebelsi. Ndërkaq Albin Kurti është krejt komod. Dëshiron kohë të përgatitet për dialog. Ai duhet të hartojë skenarin e vet të bisedimeve. Kjo është e drejtë, të cilën nuk ia mohon dot askush. Në përgatitjet për dialog kryeministri I Kosovës po përcakton edhe parimet. Parimi themelor është ruajtja e mbrojtja e territorit dhe e shtetësisë dhe funksionalitetit të institucioneve”.

Profesor Bytyçi për “Bota sot”, shton se Aleksandër Vuçiqin e ka tensionuar edhe ngritja e bazës ushtarake në veri të Kosovës.

“Vuçiq nuk e duron këtë. Ndaj hedh shqelma. E ka tensionuar shumë edhe ngritja e bazës ushtarake në veri të Kosovës. Është një vepër madhore, më e madhja në historinë e shtetit në çështjet e sigurisë. Është dhe paralajmërim për Serbinë. Është garanci për territorin dhe shtetësinë. Është sinjal se Serbia nuk mund të sillet më as në veri të vendit, siç ka ndodhur në qeverisjen e Hashim Thaçit. Ndaj Vuçiq është i tensionuar. Kurse Lajçak duket se kërkon të shpejtojë kohën. Megjithatë në këtë synim ai ka kundër edhe Beogradin, pavarësisht se peshorja e drejtësisë e tij anon nga Serbia. Pra nuk e ka kundër qeverinë e Kosovës sa atë të Serbisë. Për këtë arsye unë e shoh Lajçakun të pashpresë e të dështuar. Vetëm nëse ndodh ndonjë mrekulli dhe SHBA-të, Britania, Gjermani e BE bëjnë ndonjë përmbysje të raporteve në Serbi. Duket se Rama do të marrë valixhet me 25 prill. Vitin tjetër ka mundësi që edhe Vuçiq të mbathë patkojt. Pastaj mund të flitet për dialog të njëmendtë”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.