Dy analistë amerikanë thonë se duhen ndërmarrë hapa për të qetësuar tensionet mes Serbisë dhe Kosovës.
Megjithatë njohësit me përvojë të marrëdhënieve mes dy vendeve, Daniel Serwer dhe David Kanin thonë për Zërin e Amerikës se nuk ka zgjidhje të qarta dhe të lehta për ta realizuar një gjë të tillë. Ata thonë gjithashtu se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duhet parë në kontekstin e përgjithshëm të një zgjidhjeje mes dy vendeve.
Analistët thonë se nuk ka zgjidhje të lehta apo të qarta për tensionet e fundit mes Serbisë dhe Kosovës. Daniel Serwer, studiues në Institutin për Politikë të Jashtme dhe profesor në Universitetin “Johns Hopkins” thotë se duhen ndërmarrë hapa për zbutjen e situatës.
“Bllokadat në veri duhet të hiqen. Duhet bërë diçka për t’i vënë individët në veri para përgjegjësisë për atë përshkallëzim. Mendoj se Serbia duhet të zbusë retorikën e saj, veçanërisht atë për vendosjen e trupave serbe në Kosovë. Është një propozim indinjues”, thotë ai.
Ndërsa angazhimi diplomatik i Perëndimit është intensifikuar, Serwer thotë se Uashingtoni duhet të heqë dorë nga qasja për t’u bërë presion të dyja palëve dhe të bëhet shumë më i ashpër me Beogradin
“Serbia ka zgjedhur njërën anë. Unë nuk besoj se ajo po ulet në dy apo tre karrige. Ajo është ulur në një karrige, që unë e quaj të Lindjes, në anën e Kinës dhe Rusisë, por amerikanët nuk po pranojnë që Beogradi ka zgjedhur këtë anë”, thotë ai.
Profesori Serwer thotë se nëse Uashingtoni është realist për këto qëndrime, do të kishte mundësi të ushtronte më shumë ndikim.
David Kanin, ish-analist i lartë i CIA-s për Ballkanin dhe Evropën, profesor për Studime Evropiane në Universitetin “Johns Hopkins” thotë se tensionet do të vazhdojnë përsa kohë statusi i Kosovës mbetet i pazgjidhur. Ai thotë se me koncepte si normalizimi, perëndimi nënkupton konflikt të ngrirë.
“Më duket se është një përpjekje për t’i bërë të dyja palët të ruajnë qetësinë, që çfarëdo që të ndodhë, duke pasur parasysh mosmarrëveshjen për statusin, për sa kohë që të dyja palët nuk krijojnë destabilitet dhe tension të menjëhershëm, atëherë Perëndimi mund të fokusohet në çështje të tjera”.
Edhe planin franko-gjerman, Kanin e sheh në këtë dritë, duke thënë se nuk do të zgjidhte asgjë, nëse nuk e përcakton statusin.
“Ky propozim veçse do ta ngrinte çështjen në mënyrë të tillë që t’u lejonte fuqive më të mëdha të merren me çështje të tjera”.
Për Serwer plani franko-gjerman, duhet parë në varësi të mënyrës se si trajtohet asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Sipas mendimit tim, asociacioni i komunave me shumicë serbe do të shihej krejtësisht ndryshe nga autoritetet në Prishtinë, nëse Serbia njeh Kosovën. Në kontekstin e mosnjohjes, asociacioni duket si një përpjekje e Serbisë për të ruajtur alternativën për të marrë territor nga Kosova”, thotë zoti Serwer.
Serwer thotë se diplomatët perëndimorë e kanë të qartë mes tyre që nëse Serbia dëshiron asociacionin ajo duhet të njohë Kosovën.
“Nuk do të komentoj për emra të veçantë, por e di që kjo është e kuptuar mirë mes diplomatëve të mirëinformuar, që krijimi i asociacionit kërkon njohje (nga Serbia të Kosovës)”, thotë Serwer.
Ai thotë se është e qartë që “Serbia nuk është gati për njohje” dhe se “kjo do të thotë që Prishtina nuk është e gatshme për asociacionin.
Deklaratat e ashpra amerikane së fundmi ndaj Prishtinës, kanë nxitur komente në Kosovë, se po ushtrohet më shumë presion ndaj vendit të tyre se sa ndaj Serbisë që po përpiqet “të ulet në dy karrige”, siç thonë ata.
Si zoti Serwer, edhe zoti Kanin e pranojnë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të kishte reaguar më shpejt për të shtyrë çështjen e targave, duke thënë se ajo nuk është më e rëndësishme se sa një zgjidhje e qëndrueshme.
Por zoti Kanin i sheh deklaratat, si pjesë të një prirjeje më të gjerë.
“Kjo është pjesë e modelit të amerikanëve që u kërkojnë kosovarëve të bëjnë lëshime. Pyetja është a do të fillojnë tani amerikanët të bëjnë presion mbi serbët?”, thotë ai.
Sipas zotit Kanin, duke qenë se amerikanët po mbështesin kërkesën kryesore serbe, atë të asociacionit…
“…Nuk jam i sigurt se çfarë mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara tani për të ushtruar trysni ndaj serbëve”.
Zoti Escobar tha dje në Beograd se serbët duhet të kthehen në institucionet vendase prej nga u larguan në fillim të muajit nëntor. Analisti Serwer thotë se ky është një nga problemet më të mëdha, për zgjidhjen e të cilit është i nevojshëm qetësimi i situatës.
“Prishtina duhet të përcaktojë se si të sigurojë pjesëmarrje të konsiderueshme dhe kuptimplote të serbëve në institucionet e Kosovës dhe në zgjedhjet për kryetarët e komunave në veri”.
Por ai shton se përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës duhet të zgjidhen brenda Kosovës dhe jo në Beograd.
“Dhe këtu qëndron një nga problemet më të mëdha. Dhe që të zgjidhet ngërçi, do të duhej që Vuçiçi të pranojë qartë se Lista Serbe është nën kontrollin e Beogradit, dhe që t’u thotë qartë serbëve të Kosovës, që të drejtohen tek Prishtina për çështje të qeverisjes, jo tek Beogradi.”
Deri tani Beogradi dhe Prishtina fajësojnë njera tjetrën për tensionet. Presidenti serb thotë se është Prishtina ajo që i nxit tensionet në mënyrë të njëanshme. Kryeministri Kurti akuzon Serbinë për mbështetje të atyre që ai i quan “banda kriminale që po bëjnë përpjekje që të destabilizojnë Kosovën”.
Zoti Kanin e pranon se për Kosovën angazhimi amerikan është i rëndësishëm, por thotë se përvoja tregon se perëndimi nuk ka arritur rezultate.
“Kjo më lë të kuptoj që zgjidhja mund të mos jetë në Uashington, mund të mos jetë në Bruksel, apo në ndonjë nga kryeqytetet evropiane. Ajo gjithashtu nuk është as në Moskë apo Pekin. Ajo, ose do të jetë diçka që vjen në nivel lokal, ose rajonal, ose nuk do të ndodhë fare, sipas mendimit tim”, thotë ai./VOA