“Amerikanët më kërkuan diçka politike”, Vuçiç: Njohjen e Kosovës, sanksione Rusisë për anëtarësimin në BE

Presidenti i Serbisë shpërthen ndaj Bashkimit Europian. Aleksandër Vuçiç pretendon se pranimi i vendit të tij në Union nuk varet shumë nga kushtet e përmbushura në rrafshin e brendshëm por, sinjalizoi se gjithçka lidhet me njohjen e Kosovës dhe vendosja e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. “Lëreni gjithçka tjetër mënjanë, qofshin ligjet kështu apo ashtu. Për çdo gjë tjetër shteti i Serbisë i ka kapacitet t’i zgjidhë dhe nuk është aspak problem”, tha Vuçiç, përcjell A2 CNN.

Presidenti serb pretendoi se e di shumë mirë këtë sepse i njeh të gjithë udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Europian dhe është ulur e ka biseduar me secilin prej tyre. Ai theksoi se gjashtë vende kundërshtojnë anëtarësimin e Serbisë dhe shtoi se dy prej tyre bien në sy më shumë se të tjerët. Por nuk pranoi që të tregonte me emra konkretë. “Unë personalisht ftova presidentin e njërit vend dhe kryeministrin e vendit tjetër, para dhjetorit”, nënvizoi presidenti serb, ndërsa saktësoi se Brukseli ka një problem me Beogradin për hapjen e grupit 3 të kapitujve të anëtarësimit.

Më herët adresoi dhe mardhëniet e Serbisë me Shtetet e Bashkuara. Vuçiç theksoi se një nga kërkesat formale të Uashingtonit për vendosjen e një dialogu strategjik me SHBA-në lidhet me energjinë, ndërsa tjetra është e natyrës politike. Vuçiç tha se në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë, nuk ka pasur diskutim për këtë, por se do të diskutohet në ditët në vijim, “sapo të përgatitet”.

Nuk dihet ende nëse kërkesa politika ka të bëjë me njohjen e Kosovës, apo procesin e normalizimit të raporteve. Në mesin e vitit të kaluar, Vuçiç njoftoi nisjen e afërt të një dialogu strategjik me SHBA-në. Një vendim tjetër i njoftuar nga presidenti serb ishte ajo e shitjes së gjysmës së aksioneve nën zotërimin rus të industrisë së naftës tek një kompani hungareze me vlerën rreth 1 miliardë euro. Gjithashtu paralajmëroi zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe presidenciale në Serbi në tetor ose dhjetor të këtij viti. (A2 Televizion)