Amerika Jugore, pjesa e botës e goditur më rëndë nga Kovid-19

Epidemia e Kovid-19 vazhdon të përhapet në të gjithë botën, ndërsa Amerika e Jugut dhe Karaibet kaluan më keq, pasi numri i vdekjeve në rajon dje e tejkaloi numrin e përgjithshëm të viktimave nga infeksioni me koronavirus në Evropë.

Pandemia ka marrë më shumë se 715.000 jetë, duke infektuar më shumë se 19 milionë njerëz në planet pasi zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kinë e raportoi këtë sëmundje në fund të dhjetorit.

Numrin më të madh të viktimave e kanë Amerika e Jugut dhe Karaibet: të paktën 213.120, e ndjekur nga Evropa me 212.660 vdekje, sipas të dhënave nga dita e djeshme.

Në shtatë ditët e kaluara, pothuajse çdo vdekje e dytë nga Kovid-19 në botë (44 për qind) ka ndodhur në Amerikën e Jugut. Ajo pjesë e botës është gjithashtu me numër më të madh të të infektuarve (më shumë se 5.3 milionë), kryesisht në Brazil, e cila dje iu afrua 100.000 vdekjeve nga 2.9 milionë të infektuar.

Në atë vend, shifrat zyrtare të viktimave janë “gjashtë deri shtatë herë më të ulëta se sa ato aktuale”, tha Domingos Alves, një statistikan brazilian, i cili është i specializuar për pandemi.

Meksika u bë vendi i tretë në botë për sa i përket numrit të të infektuarve dhe vdekjeve, duke e tejkaluar shifrën prej 50.000 të vdekurve (50.517), me 462.690 raste të konfirmuara, shumë më tepër sesa që parashikonte Qeveria e presidentit Andres Manuel Lopez Obrador, i cili është në shënjestër të kritikave të ashpra.

Kolumbia, ku virusi u shfaq në fillim të marsit, ka më shumë se 12.000 vdekje deri dje.

Në Kubë, e cila raportoi numrin më të madh të të infektuarve brenda një dite për tre muaj, autoritetet përsëri kufizuan dje lëvizjen e automjeteve dhe njerëzve në Havana./mia