Amerika dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpritur për mineralet

Uashingtoni dhe Kievi kanë nënshkruar marrëveshjen e shumëpritur për burimet natyrore të Ukrainës pas muajsh negociatash të tensionuara.

Të dyja palët kanë konfirmuar se ajo krijon një fond investimi për kërkimin e mineraleve dhe përcakton se si do të ndahen të ardhurat.

Administrata amerikane tha në një deklaratë se marrëveshja “i dërgon një mesazh Rusisë” se administrata e presidentit Donald Trump është “e përkushtuar ndaj një procesi paqeje që synon një Ukrainë të lirë, sovrane dhe të begatë”.

Bëhet e ditur se marrëveshja vjen pak më shumë se dy muaj pas një takimi midis Trumpit dhe Volodymyr Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë që u shndërrua në një përplasje verbale publike dhe ngriti frikën se SHBA mund të tërhiqte mbështetjen për Ukrainën.

Ministrja ukrainase e Ekonomisë Julia Sviridenko mbërriti dje në Uashington pas një përparimi të dukshëm në negociatat për nënshkrimin e marrëveshjes me Sekretarin e Thesarit të SHBA-së Scott Bessent.

Pasi mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit me Bessent, Sviridenko postoi dispozitat kryesore të marrëveshjes në rrjete sociale.

Në platformën X, ajo deklaroi se marrëveshja krijon një fond investimi për rindërtim me qëllim tërheqjen e investimeve perëndimore në projektet e Ukrainës në fushën e mineraleve, naftës dhe gazit.

Ajo theksoi se burimet natyrore mbeten pronë e Ukrainës dhe se Kievi do të vendosë në mënyrë të pavarur për vendndodhjet e shfrytëzimit.

Raportohet se partneriteti do të jetë i barabartë, në një raport 50:50.

SHBA do të marrë një rol në tërheqjen e kapitalit dhe teknologjisë për projektet në territorin ukrainas, shkruan BBC.

Ndërsa si pjesë e marrëveshjes, SHBA do t’i sigurojë Kievit ndihmë shtesë, e cila mund të përfshijë, për shembull, sistemet e mbrojtjes ajrore. Kjo është një dispozitë kryesore që nuk ishte përfshirë në propozimet e mëparshme për marrëveshjen.

Sipas Sviridenko, të ardhurat dhe pagesat e fondit nuk do të tatohen në asnjë nga vendet.

Ajo shtoi se marrëveshja ende duhet të konfirmohet nga parlamenti ukrainas.

“Marrëveshja”, shkruan Sviridenko, “njeh kontributin e Ukrainës për sigurinë globale”.

Megjithatë, është e paqartë nëse marrëveshja përfshin një garanci zyrtare sigurie të SHBA-së, e cila ishte një nga kërkesat kryesore të Zelenskyt gjatë negociatave.

Departamenti amerikan i Thesarit tha: “Asnjë shtet apo individ që ka financuar ose furnizuar makinën ruse të luftës nuk do të përfitojë nga rindërtimi i Ukrainës”.

Presidenti Trump ka thënë se marrëveshja përfaqëson “kompensim” për shpenzimet e SHBA gjatë luftës.

Ndryshe, sipas vlerësimeve të Kievit, rreth 5% e “lëndëve të para kritike” në botë ndodhen në Ukrainë.

Këtu përfshihen rreth 19 milionë tonë rezerva të vërtetuara grafiti, të cilat, sipas Shërbimit Gjeologjik të Ukrainës, e renditin vendin në pesë prodhuesit më të mëdhenj në botë të këtij minerali.

Grafiti përdoret në prodhimin e baterive për automjetet elektrike.

Ukraina gjithashtu ka depozita të konsiderueshme të titanit dhe litiumit.

Pretendohet gjithashtu se ka sasi të mëdha të metaleve të rralla të tokës – një grup prej 17 elementësh thelbësorë për prodhimin e armëve, turbinave të erës, elektronikës dhe teknologjive të tjera moderne – megjithëse këto pretendime janë objekt debati.

Një pjesë e depozitave minerale të Ukrainës janë aktualisht nën pushtimin rus. Sipas Sviridenko, burimet me vlerë 350 miliardë dollarë janë ende të vendosura në territorin e pushtuar.

Ekspertët paralajmërojnë se zbatimi i marrëveshjes dhe aksesi i investitorëve amerikanë në pasurinë minerale të Ukrainës nuk do të jetë e mundur pa zgjidhur problemin e minave të pashpërthyera.

Vlerësohet se një e katërta e territorit të Ukrainës është me mina, kryesisht në lindje të vendit.

Përveç kësaj, do të duhet shumë kohë para se të realizohen përfitime konkrete ekonomike.