Ambulanca mes fshatrave Llojan dhe Vaksincë, e cila ka funksionuar që nga vitet 90-ta, sot qëndron e mbyllur. Banorët kërkojnë rihapjen, pasi që për të marrë shërbime mjekësore ata duhet të udhëtojnë në Kumanovë ose Likovë. Nga ISHP Shtëpia e Shëndetit Kumanovë bëjnë të ditur se ambulanca u mbyll me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa nga kjo e fundit thonë se do punojnë në këtë drejtim, pa dhënë detaje konkrete, shkruan Portalb.mk.
Banorët e fshatit Llojan dhe Vaksincë kërkojnë që kjo ambulancë të rihapet, pasi siç thonë nuk kanë as ambulancë publike dhe as private.
Për të marrë shërbime mjekësore ata duhet të udhëtojnë në Likovë ose në Kumanovë.
Në Komunën e Likovës, e cila përfshin 11 fshatra, funksionon vetëm ISHP “Shtëpia e Shëndetit” e cila ndodhet në fshatin Likovë.
Shqipdon Rexhepi nga fshati Llojan theksoi se ambulanca shtetërore e këtij fshati, e cila ka shërbyer për banorët e Llojanit dhe Vaksincës, duhet me çdo kusht të rihapet nga organet kompetente, me staf profesional dhe të funksionojë 24/7, si nevojë thelbësore për shëndetin e tyre.
“Prania e ambulancës në afërsi ul ndjeshëm rrezikun në raste infarkti, aksidentesh, komplikimesh te fëmijët dhe të moshuarit, si dhe në raste kafshimi nga qen endacakë apo gjarpërinj helmues. Gjithashtu mungesa e linjave të rregullta të transportit, si dhe fakti që taksitë nuk janë gjithmonë të disponueshëm, përkeqëson situatën, pasi shumë banorë, sidomos të moshuarit, nuk kanë mjete apo patentë shoferi”, tha Rexhepi.
Ai shtoi, se shumë raste të lehta dhe kontrolle rutinë mund të trajtohen në ambulancë, duke ulur ngarkesën mbi spitalet. Sipas tij, kategoritë më të ndjeshme, si fëmijët, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike dhe të moshuarit, përfitojnë më së shumti nga shërbimi shëndetësor i afërt.
Një banor tjetër nga fshati Llojan theksoi se ambulanca duhet të hapet sa më shpejt, në mënyrë që banorët të kenë qasje të lehtë dhe pa pengesa në shërbimet mjekësore.
“Mua më duhet të shkoj të paktën një herë në muaj për kontroll, për të marrë barnat apo për të matur shtypjen e gjakut. Kjo më kushton shumë, sepse fëmijët e mi jetojnë në Evropë, jam në moshë dhe detyrohem të përdor taksi vetëm për këto shërbime bazë, pasi nuk kemi as transport publik. Mendoj se duhet të hapet sa më shpejt ambulanca, që të mund të kryejmë shërbimet mjekësore pa vështirësi dhe pa shpenzuar shumë para për rrugë”, tha një banor.
Ndërsa një banor tjetër nga fshati Vaksincë kritikoi institucionet se nuk janë të afta ta mirëmbajnë këtë ambulancë.
“Që prej themelimit të këtij shteti, për ne nuk është bërë asnjë gjë e hajrit. Këtu vetëm shkatërrojnë gjithçka dhe nuk dinë as ta mirëmbajnë, e lëre më të ndërtojnë diçka të re. Ambulanca duhet të rihapet, sepse kështu do të krijohen edhe vende pune, dhe për ne banorët do të jetë më e lehtë, pasi kemi nevojë të madhe, prandaj, pse të mos hapet dhe të punojnë mjekë dhe infermiere, veçanërisht kur rinia po ikën masivisht në Gjermani”, tha banori.
Nga ISHP Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë theksuan se ambulanca në fshatin Llojan është mbyllur me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Ambulanca në fshatin Llojan është e mbyllur për arsye se, me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, ordinanca private e mjekësisë së përgjithshme ‘Pro-Medika Vita’, e dhënë me qira me seli në fshatin Llojan, me kërkesë të themeluesit ka ndërprerë veprimtarinë e saj, duke përfunduar punën më datë 30.06.2011. Që nga ajo kohë dhe deri më sot nuk ka pasur mjekë të interesuar për ta marrë ambulantën me qira. ISHP Shtëpia e Shëndetit Kumanovë e jep ambulantën me qira përmes shpalljes publike dhe, në përputhje me Ligjin për mbrojtjen shëndetësore, në momentin që paraqitet interesim, ajo do të jepet me qira,” thanë nga Shtëpia e Shëndetit Kumanovë.
Portalb.mk e pyeti ministrin e Shëndetësisë Azir Aliun nëse kjo ambulancë do të rihapet, ai tha se po punohet në këtë drejtim, por pa dhënë detaje konkrete.
“Ministria e Shëndetësisë bashkë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë punon në një projekt për të bërë transformimin e shëndetësisë primare, në shëndetësinë sekondare punojmë bashkë me komunat që të bëjmë shtëpitë e shëndetit të dinjitetshme në aspekt infrastrukturor dhe në aspekt të kapaciteteve njerëzore që të japim shëbime për qytetarët. Jo vetëm në Likovë dhe nëm fshatrat tjera në çdo komunë më të vogël apo më të madhe, bashkë me komunat do punojmë që këto institucione vërtetë ti rinovojmë, ti mirëmbajmë dhe të jenë të dinjitetshme për dhënien e shërbimeve shëndetësore”, tha Aliu.
Sipas informacioneve të Portalb.mk një infermiere ka punuar deri në vitin 2021 dhe ka qenë e fundit që ka mbetur si punonjëse shtetërore, duke udhëhequr patronazhën, për të cilën ajo më pas u transferua në ISHP Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë.
Kujtojmë se në janar, objekti i ish-ambulancës midis fshatrave Llojan dhe Vaksincë u sulmua, ku u thyen dyer dhe dritare.





