Ndotja e ajrit mbetet në nivelet shqetësuese. Përderisa autoritetet thonë se bazat matëse nuk tregojnë shifrat reale, qytetarët ankohen se mushkëritë janë treguesi më i mirë i ndotjes enorme. Madje ka të tillë që frymëmarrjen e tyre prej grimcave PM 10 në ajër e kanë siguruar me maska, por nuk e mbajnë gojën të mbyllur dot kur vjen puna për kritika.
“Të themi se prej ndotjes, shikoj në këtë aplikacion se sot nuk ka aq shumë ndotje por nuk iu besoj dhe e mbaj maskën. Shpesh eci dhe pse mos ta mbaj ndonëse nuk besoj se na mbron shumë. Mbrojtja më e madhe duhet të vij prej tyre lart, nuk mundemi ne ta zgjidhim me maska.”
Ambientalistët gishtin e drejtojnë edhe nga industria e rëndë, sipas të cilëve djegia e mbeturinave që i përdorin për derivate është njëri nga faktorët që ndotin ajrin. Tri kompanitë më të mëdha, të cilat importojnë mbeturina nga shtete të ndryshme janë fabrikat Usje në Shkup, Feni në Kavadar dhe Tab Mak në Probishtip. Sipas Inspektoratit mjedisor, këto dhe kompanitë tjera brenda vitit importojnë mijëra tonelata mbeturina për djegie, por monitorohen dhe respektojnë standardet.
Fabrika e çimentos në Shkup është importuesi më i madh i mbeturinave në vend. Sipas të dhënave zyrtare të Inspektoratit shtetëror të ambientit jetësor në këtë fabrikë digjen mbi 6 mijë tonelatë mbeturina në vit.”
Nga drejtoria e kësaj kompanie thonë se posedojnë lejen A-integruese, sipas së cilës garantohet filtrimi i gazrave që lirohen nga furrat e djegies. Ata thonë se nuk janë mbeturina, por derivate alternative të fituara nga pjesëzat e mbeturinave. “Usje” i tha Alsatit se i gjithë importi bëhet sipas standardeve evropiane dhe ligjit. Në fakt, Ligji për menaxhimin me mbeturinat është në procedurë parlamentare, i cili ishte i pandryshueshëm prej 16 vitesh. Nga partia e gjelbër “DOM” kërkojnë ndryshimin e një neni për të ndaluar importin e mbeturinave për djegie nga gjigantët industrial.
Ne nuk jemi në gjendje si institucione të shtetit, për fat të keq, të kontrollojmë as hyrjen e mbeturinave as rutën e tyre brenda vendit, madje as mënyrën e djegies. Nuk kemi garanci se industria e rëndë ka kapacitete adekuate të sistemeve të mbyllura bashkëkohore. Laboratori që duhet të akreditohet nga Ministria Ekologjisë ende nuk është bërë- deklaroi Liljana Popovska, Partia “DOM”.
Sipas Ministrisë së Ekologjisë importi i mbeturinave ndalohet vetëm për deponim apo magazinim, por lejohen ato lloje të mbeturinave që subjektet kanë kapacitete dhe leje të posaçme ekologjike.
Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor
“Të lejuara janë importet e mbeturinave që mund të përpunohen ose riciklohen në mënyrë të sigurt në një instalim që kanë lejen e duhur nga Ministria e Ambientit. Mbeturinat që importohen në RMV janë kryesisht mbeturina hekuri, mbeturina të gomave, masa plastike dhe mbeturina të baterive-akumulatorëve.”
Polemika me importin e mbeturinave kishte edhe në shtetin fqinj lindor, ku prokuroria e Bullgarisë akuzon Ministrin e ekologjisë atje se me qëllim ka keq menaxhuar me mbeturinat e importuara dhe reduktimin e ujërave. Sipas mediave bullgare nëse ministri shpallet fajtor rrezikon 8 vjet burg për krizën me ujë të pijshëm dhe mos kontrollimin e mbeturinave të ardhura kryesisht nga Italia.