“Raporti i fundit i Komisionit të BE-së për gjendjen e negociatave të pranimit dha indikacione të qarta në cilat fusha duhet të bëhen përpjekje të mëdha për të bërë përparim”, tha ambasadorja gjermane në Shkup, Petra Drexler në një intervistë për Radio Evropa e Lirë. Sipas saj, hapi tjetër në procesin e negociatave është i qartë.
Petra Drexler, ambasadore gjermane në Shkup
“Njerëzit kanë një pritje të justifikuar se investimet e mëdha në procesin e integrimit në BE do të shpërblehen. Ne e marrim seriozisht këtë dhe duhet të punojmë për këtë. Kjo do të thotë që nëse ekziston rreziku i humbjes së besimit në këtë logjikë pranimi, se procesi i pranimit është një proces i bazuar në meritë, atëherë do të duhet të punojmë për të, për ta rivendosur këtë besim së bashku. Për këtë, ekziston, për shembull, “Plani i Rritjes” i Komisionit të BE-së, i cili ndjek pikërisht këtë logjikë”.
Ndërkaq ambasadorja tha se është mirë që ka një debat kritik rreth buxhetit në gjyqësor, dhe sipas saj është një provë e mirë e demokracisë.
Petra Drexler, ambasadore gjermane në Shkup
“Pajtohem që debati për buxhetin në gjyqësor dhe forcimin e sundimit të ligjit nuk duhet të reduktohet në çështje individuale, siç janë pagat e gjyqtarëve. Sepse nëse doni të forconi pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit, atëherë kjo është një çështje strukturore. Sigurisht, nëse 40% e vendeve të punës në gjyqësor janë të paplotësuara, atëherë efikasiteti i gjyqësorit nuk mund të sigurohet, atëherë nuk varet më nga performanca e individëve, por bëhet një problem strukturor”.
Drexler ka thënë se nuk është puna e sajtë flas në emër të individëve specifikë në gjyqësor, ndërsa ka theksuar se është e rëndësishme që në emërimin e pozicioneve të larta dhe në çështjet e përfundimit të mandateve të respektohen procedurat dhe veprimet përkatëse ligjore.




