Ambasadorja amerikane Bërns për vizitë në Dibër

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, Kejt Meri Bërns, sot është për vizitë në Dibër, ku së pari realizoi takim pune me kryetarin e Komunës Hekuran Duka.

Pas takimit, Duka informoi se u diskutuan disa çështje, me theks të veçantë në diasporën e Dibrës në SHBA, e cila duhet të jetë një urë e vërtetë lidhjeje.

“Shpreha vlerësimin se SHBA është partner strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe komunës sonë. E informova ambasadoren se në SHBA ka më shumë dibranë sesa në Dibër, mes tyre shumë biznesmenë të fuqishëm. Theksova se gjëja më e rëndësishme për ne është që njerëzit tanë të hapin fabrikë prodhimi në qytet ku do të sigurojnë jetesën, veçanërisht për të rinjtë, në mënyrë që ata të mos largohen nga vendi i tyre i lindjes. Gjithashtu kërkova mbështetjen e USAID-it për të vazhduar për komunën tonë”, tha Duka.
Sigurisht, shtoi, ne gjithashtu biseduam për situatën dhe trajtimin e pandemisë me Kovid-19, për shkak të së cilës Dibra dhe Qendra Zhupë ishin nën karantinë për një muaj dhe pasojat në ekonomi.

Gjatë ditës, ambasadorja do të vizitojë kompaninë “Korabi Redimiks”, në pronësi të Ibrahim Kolarit dhe “Sllajs Pica” nga Ilber Sela, biznesmenë të njohur në SHBA me origjinë nga Dibra.

Në selinë e myftinisë së Dibrës do të takohet me myftiun Reshat Kaçalniku dhe së bashku do të vizitojnë manastirin “Shën Gjergji” në fshatin Rajçic.