Ambasadori shqiptar: Kurti të lërë adoleshencën diplomatike e të sillet si burrë shteti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq pritet që të takohen së shpejti në Bruksel për të shënuar edhe rifillimin e dialogut mes dy vendeve.
Megjithatë, përplasjet në distancë kanë filluar që tani. Kurti ka deklaruar se nuk ka për të pasur Asociacion një-etnik në Kosovë, ndërsa presidenti serb nga ana tjetër ka paralajmëruar se nëse kryeministri kosovar ka këtë qëndrim atëherë le të mos shkojë farë në takim.Por, diplomati shqiptar, Arben Çejku, u shpreh se Kurti është duke shkuar në Bruksel si kreu i qeverisë dhe jo si lideri i LVV-së dhe për këtë arsye duhet të përgatitet si kurrë më parë.

Sipas tij, kryeministri kosovar po shkon në takimin me Vuçiqin për interesat e tij personale ndërsa shtoi se kjo që po bën Kurti është një “adoleshencë diplomatike”.“Kjo nuk është çështje që mund të mbahet brenda kornizës politike të ndjekur nga LVV-ja… Nuk e di deri ku do të shkojë me këto koncepte. Nuk do të shënojë ndonjë arritje. Nuk besoj se nuk e kupton ku qëndron Kosova. Kërkon ta shfrytëzojë këtë takim për interesat e veta. Kjo është një adoleshencë diplomatike, diplomacia reale e Kosovës është të marrë sfidën parasysh”, u shpreh ai në ABC.Diplomati Çejku solli në vëmendje se tashmë me ardhjen në pushtet të administratës Biden në SHBA, kemi një rikthim në të njëjtën tryezë të interesave SHBA-BE. Dhe, sipas tij, Kurti dhe Vuçiqi nuk mund të ndjekin agjendat e tyre personale, duke anashkaluar interesat e këtyre dy faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë.“Rikthimi në të njëjtën tryezë BE-SHBA ka domethënien e vet. Interesi i tyre është që në rajonin e Ballkanit të ketë një stabilitet dhe paqe. Kurti u bë kryeministër pas një retorike për zhvlerësimin e dialogut, Vuçiqi ka përpara zgjedhje… Të dy nuk anashkalojnë dot interesin e SHBA-së për siguri dhe stabilitet në Ballkan”, deklaroi diplomati shqiptar.Arben Çejku theksoi se duhet që Albin Kurti të marrë në konsideratë rëndësinë e këtij hapi që do të merret në Bruksel. Diplomati po ashtu tregoi dy skenarët që mund të ndodhin duke marrë parasysh qëndrimet e dy liderëve.I pari është që të vazhdohen apo ndryshohen në një version final marrëveshjet ekzistuese mes dy vendeve ndër vite, dhe opsioni i dytë është nisja e një kapitulli të ri. Këtë skenar Çejku e gjykon si më penalizues për Kosovën.“Në tryezën e bisedimeve mund të vijnë të gjitha opsionet që qarkullojnë edhe versionet ‘non paper’. Serbia kërkon të fitojë kohë. Çdo shmangie nga ballafaqimi realist me Kosovën është i dëmshëm”, potencon ai.Kërkesa e tij për Kurtin, përpara se të niset në Bruksel është: “Të sillet si burrë shteti që ka marrë përgjegjësi për të udhëhequr Kosovën”.Ambasadori Çejku ishte Shef i Misionit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, nga viti 2005 deri më 2009.