Ambasadori rus në Shkup: Kam kërkuar takim me ministrin e jashtëm, por nuk kam marrë përgjigje

Kundër Rusisë po zhvillohet një luftë dhe terror i vërtetë informacioni, tha ambasadori rus në Shkup, Sergei Bazdnikin.

Në një intervistë për TV Sitel, ai theksoi se të gjitha mjetet në dispozicion përdoren për të diskredituar udhëheqjen e Rusisë dhe forcat e saj të armatosura.

“Kundërshtarët tanë nuk hezitojnë të publikojnë lajme të rreme për veprimet e trupave ruse, duke përfshirë bombardimin e supozuar të shënjestruar të lagjeve të banuara”, tha Bazdnikin për TV Sitel.

Sipas tij, lista e vendeve armiqësore të Rusisë, përfshirë Maqedoninë, është reagim ndaj veprimit të vendeve të tjera ndaj saj.

“Deri më tani ndaj Rusisë janë zbatuar 5530 masa kufizuese dhe për fat të keq, atyre u është bashkuar edhe qeveria e RMV-së. Ne e karakterizojmë dërgimin e armëve në Ukrainë si një rrezik të pajustifikuar për sigurinë e trupave ruse. Pajisjet mjekësore janë një histori tjetër, por ne po nisemi nga një deklaratë e qeverisë”, tha ambasadori rus, duke shtuar se ky ishte vetëm fillimi dhe se masa të tjera hakmarrëse nga Moska janë të mundshme.

Ai shtoi se edhe pse kërkoi takim me ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, për atë që ai e quajti “operacion rus në Ukrainë”, ai nuk kishte kontakte deri më 7 mars, kur u thirr në MPJ dhe iu dha notë verbale.