Ambasadori Rokas, kërkon buxhet për gjyqësorin

Ambasadori i BE-së në Shkup Mikalis Rokas kërkoi nga deputetët korrigjimin e propozim-buxhetit në fushën e gjyqësorit dhe investimeve të nevojshme. Rokas, duke prezantuar raportin e progresit para deputetëve kërkoi konsensus, përveç reformave të nevojshme, edhe për ndryshimet kushtetuese.

“Prezantimi i sotëm korrespondon me përgatitjet për buxhetin e shtetit për vitin 2026 dhe është kyçe që të zbatohen rekomandimet e raportit dhe të përmbushen prioritetet e vendosura në Agjendën reformuese, veçanërisht për funksionimin e institucioneve gjyqësore, ku vuajmë nga mungesa kronike e investimeve dhe pagat e ulëta. Për fat të keq, këto gjëra nuk janë paraparë në buxhet deri më tani. Ngjashëm mjete të mjaftueshme duhet të ndahen edhe për Revizionin që të mundet në mënyrë korrekte ta bëjë punën e tij. Më shumë na shqetëson sundimi i ligjit. Nuk ka asnjë progres në sundimin e ligjit dhe asnjë progres në luftën korrupsionit”, tha Mikalis Rokas, Ambasador i BE-së.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova tha se raporti thekson mungesën e reformave në gjyqësor dhe në luftën kundër krimit, por ajo thotë se shpesh energjia është humbur në çështje të tjera.

“Kjo nuk është kohë për reforma, për fat të keq. Sepse koha ngjan me kohë të luftës ose paraluftës dhe kjo nuk është koha kur mund të bëhen reforma. Por, për mua, edhe më herët por edhe tani, BE-ja është filozofi unike politike, e mbështesin të gjithë aktorët, qytetarët në Ballkanin Perëndimor, BE-ja është perspektivë, është motiv për reforma demokratike, stimulon ndryshime që sjellin paqe afatgjate dhe stabilitet. Pas 16 herësh, ky raport, si edhe të kaluarit, nuk flet vetëm për të evaluuarin por flet edhe për evaluuesin. Nëse ka vlerësim ose garë për gatishmërinë politike, atëherë ne do të jemi kampionë në zbatim. Rezultatet i shohim”, shtoi Gordana Siljanovska Davkova, Presidente .

Ministri Orhan Murtezani tha se reformat dhe kërkesat e BE-së kërkojnë vendime dhe politika të fuqishme.

“Një pjesë e rëndësishme e rekomandimeve që i jep BE-ja përsëriten në disa raporte. Disa prej tyre përfshihen edhe në Agjendën e reformave. Ky është një sinjal i qartë se këto segmente kërkojnë një politikë më të fuqishme, mobilizim institucional dhe konsensus në miratimin e ligjeve”, tha Orhan Murtezani, Ministër për Çështje Evropiane.

Opozita vlerëson se pushteti duhet të dalë nga gjendja e meditimit të thellë dhe të pranojë përgjegjësinë që e ka në ngecjen e integrimit. Venko Filipçe e drejton gishtin te koalicioni në pushtet për rezultatet negative të raportit.

“Tashmë ka kaluar një vit e gjysmë nga kjo qeveri dhe nuk ka më shumë të jetë fajtor për këtë raport i cili përfshin një vit të plotë nga qeverisja e tyre. Qytetarët presin përparim dhe rezultate të vërteta dhe të dukshme që mund t’i ndjejnë dhe jo vetëm justifikime, teori konspirative ose arrogancë. Askush s’do të jetë fajtor. E gjithë përgjegjësia është në koalicionin qeveritar VMRO-DPMNE, ZNAM dhe VLEN. Dëgjojmë se gjoja do ta zgjerojnë shumicën parlamentare. Dua të dërgoj porosi tek aktorët politik dhe deputetët që duan t’u bashkohen të mendojnë mirë a duan ta bëjnë këtë sepse është e qartë se ky koalicion nuk e ka ndërmend ta vazhdojë rrugën evropiane”, u shreh Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së .

Raporti i Komisionit Evropian i publikuar dy javë më parë vendos theksin te mungesa e ndryshimeve kushtetuese por edhe te mungesa e reformave kyçe në gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit./Alsat.mk