Ambasadori i Francës vizitoi Alternativën (Video)

Ambasadori i Francës, Siril Bomgartner ka realizuar takim me kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi. Ambasadori nuk shpaloi shumë detaje nga takimi, vetëm tha se ka qenë një takim tejet i frytshëm dhe se kanë diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Francës.

Siril Bomgartner, ambasador i Francës

“Alternativa është një parti që e begaton skenën politike të Maqedonisë së Veriut, me të cilën ne në cilësinë e Ambasadës së Francës kemi kultivuar raporte të shkëlqyera. Dua që të vazhdojmë me këtë kontinuitet, çfarëdo qoftë ajo, qoftë për nivelin e brendshëm në vend apo për nivelin e jashtëm. Dialogu mes nesh mund të na shpjerë drejtë gjërave që janë substanciale dhe tejet të frytshme”.

Kryetari Gashi deklaroi se Franca çdoherë ka qenë shtet mik i vendit tonë dhe se ka qenë aty për t’i ndihmuar ku ka qenë nevoja.

Afrim Gashi, kryetar i Alternativës

“Unë kërkova që ta vazhdojmë bashkëpunimin edhe si shtet, por edhe si parti politike me këtë shtet, sidomos në fazën e cila Maqedonia tash do të futet në procesin e negociatave me BE-në për implementimin e vlerave dhe standardeve evropiane në vendin tonë. Mendojmë se një shtet i fuqishëm, një shtet me vlera të larta demokratike, kulturore, intelektuale siç është Franca, për neve është një udhërrëfyes shumë i rëndësishëm në ecejaken tonë si shtet dhe si shoqëri”.

Më tej ai shtoi se ky është takimi i parë me ambasadorin e ri, por se edhe në të kaluarën me Ambasadën e Francës kanë pasur raporte të shkëlqyera.