Ambasadori i BE-së, Rokas i kërkon ndryshimet kushtetuese

Qeveria mbetet plotësisht e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, çka përbën një arritje të rëndësishme për marrëdhëniet reciproke dhe për nivelin e përkushtimit ndaj vlerave evropiane – deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski pas pranimit të raportit të Komisionit Evropian nga ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas.

“Në raport vërehet se në disa fusha ka përparim të kufizuar ose të caktuar. Konkretisht, nuk ka fusha me prapakthim, ndërsa në katër kapituj është regjistruar përparim i mirë. Në një kapitull – Lëvizja e lirë e kapitalit – është rritur madje niveli i përgatitjes falë anëtarësimit në SEPA dhe zbatimit të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Komisioni përshëndet hapat e ndërmarrë në ekonomi”, tha Mickoski.

Ambasadori evropian Mihalis Rokas, ndonëse pranoi se është bërë njëfarë përparimi, u ndal te ato fusha ku tha se nuk ka progres dhe se duhet punuar më shumë për të përmirësuar vlerësimet. Ai nuk la pa përmendur edhe detyrimin për ndryshimet kushtetuese.

“Nuk ka përparim në reformat gjyqësore dhe në luftën kundër korrupsionit – kjo mbetet thelbësore për t’u bërë. Nuk janë vetëm tregues, por themele për besimin e qytetarëve dhe për të ardhmen evropiane të vendit. Është e rëndësishme të kapërcehen ndarjet politike, të përshpejtohen reformat dhe të përfundojë procesi i emërimeve. Ekziston një mundësi serioze për të filluar dialogun dhe për të vazhduar me detyrimin për ndryshimet kushtetuese”, u shpreh Rokas.

Pas konferencës së djeshme për media të kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, partia opozitare edhe sot vazhdoi me kritika, duke thënë se ky është raporti më i dobët deri më tani, me prapakthim drastik në sundimin e ligjit, me gjyqësor nën presion, me luftë joefikase kundër korrupsionit dhe stagnim në ekonomi dhe bujqësi.