Ambasadori austriak ndihmon në përtritjen e bredhit të Nënë Terezës

I pari nga diplomatët e huaj që ka reaguar pas letrës sonë të hapur publike në shenjë proteste
ndaj shkatërrimit të bredhit të Nënës Tereze nga ana e NP “Parqe dhe Gjelbërime”, ishte
Ambasadori i Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Shkëlqesia e tij z.Georg Uotsas. Ai bashkë me
stafin e tij menjëherë erdhi në vendin ku është shkulur bredhi dhe në shoqërimin tonë, filluam
me mbledhjen e boçave të bredhit të shkatërruar, në mënyrë që nga farat e tij të përtërihet
edhe një bredh i ri në të njejtin vend.

Me këtë gjest, ambasadori austriak përpos që u solidarizua me revoltën e ITSHKSH për dëmin
që i është shkaktuar një trashëgimie të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, ai njëherësh dërgoi
mesazhin e paqes dhe të përtrirjes, që ishte edhe mision i vet Nënës Tereze. Ideja për të
grumbulluar boçat e këtij bredhi të shkatërruar dhe ruajtja e tyre si relikt që do të shërbenin
edhe si fara për të mbjellë një bredh të ri, e shpreh më së miri thelbin e këtij mesazhi të
ambasadorit austriak.

E faleminderojmë shumë përzemërisisht mikun tonë, Ambasadorin e Austrisë në Maqedoninë
e Veriut, Shkëlqesinë e tij z.Georg Uotsas, për këtë gjest qytetërues dhe për mbështetjen
morale që po tregon në këtë kohë kur jemi në pritje të përgjigjes së kryetares së Qytetit të
Shkupit zonj.Danella Arsovska, për një takim konsultativ lidhur me gjendjen e krijuar pas
shkatërrimit të bredhit të Nënës Tereze nga ana e punonjësve të NP “Parqe dhe Gjelbërime”.

Shkup, 5 korrik, 2022

Prof.dr. Skender ASANI- drejtor i ITSHKSH.