Ambasadori amerikan në Beograd, Hill: Është zhgënjyese që nuk ka shumë përparim në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka thënë se është zhgënjyese që nuk ka shumë përparim në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se ka takime të rregullta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq ku diskutojnë tema që i shqetësojnë të dytë.

Ambasadori amerikan në një intervistë për gazetën danas ndër të tjera ka folur edhe rreth marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë nuk kam qenë në Serbi për 23 vjet. Është zhgënjyese që nuk ka pasur më shumë përparim në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha fillimisht ai.

Diplomati ka pohuar se duhet të ketë dialog mes dyja vendeve dhe të ketë më shumë bashkëpunim.

“Është mirë që Bashkimi Evropian ka marrë përsipër të udhëheqë këtë proces dhe është mirë që kemi dialog. Megjithatë, unë e kam të qartë se duhet të bëhet më shumë përparim. Do të doja të shihja një bashkëpunim më të fortë dhe t’i japim kuptimësi fqinjësisë”, shtoi ambasadori.

Ai ka pohuar se duhet të ulen tensionet mes dyja vendeve në mënyrë që të ecin përpara.

“Duhet të flasim për logjikën e gjërave. Sipas meje, është logjike që Serbia të jetë pjesë e sigurisë së përbashkët. Gjithashtu mendoj se është logjike që të ulen tensionet mes Serbisë dhe Kosovës dhe të gjendet një mënyrë që të dyja vendet të ecin përpara, aq më tepër që janë fqinjë. Sinqerisht, jam i dekurajuar nga sa ngadalë po shkojnë gjërat”, pohoi Hill.

Ndryshe, ambasada e SHBA-së në Beograd ka festuar gjatë ditës së djeshme 246 vjetorin e pavarësisë së vendit.