Ambasadorë të shteteve të Bashkimit Evropian bashkë me shefen e Zyrës së BE-së kanë vizituar sot Zveçanin ku edhe janë takuar me kryetarët e katër komunave veriore me të cilët kanë diskutuar për ushtrimin e detyrave të tyre pasi kanë marrë mandatet në tetor 2025.
Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së, kryetarët e katër komunave kanë numëruar sfidat që sipas tyre ndikojnë në ofrimin e shërbimeve, përfshirë mungesën e arkivave, stafit të kualifikuar, kufizimet buxhetore, çështjet që lidhen me pronat dhe për atë “kontroll nga niveli qendror mbi aktivitetet komunale”
Diplomatët evropianë kanë zhvilluar gjithashtu takime të ndara me përfaqësues të shoqërisë civile dhe anëtarë të kuvendeve komunale nga partitë opozitare.
“Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare mbeten fuqimisht të përkushtuara ndaj një vetëqeverisjeje lokale të fortë në Kosovë dhe decentralizimit të mbështetur në Kushtetutë dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale. Ata bëjnë thirrje për përmirësimin e koordinimit ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, mbështetje efektive për komunat nga ministritë përkatëse dhe zbatim të barabartë të parimeve të sundimit të ligjit në mbarë Kosovën”, thuhet në komunikatën e BE-së.
“Administratat komunale efektive, llogaridhënëse dhe plotësisht funksionale, që ofrojnë shërbime cilësore për të gjithë banorët e Kosovës, përfshirë në veri, janë në interes të publikut dhe thelbësore për ndërtimin e besimit, stabilitetit dhe prosperitetit.Si partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe donatori më i madh i asistencës financiare, Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë komunat dhe reformat që forcojnë vetëqeverisjen lokale në mbarë Kosovën”, përfundon reagimi i BE-së.



