Ambasada e Italisë: Shpallja e organizatave terroriste në veri u bë pa koordinim me italianët

Ambasada e Italisë në Prishtinë ka reaguar në lidhje me shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” si organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës.

Në një përgjigje për Klan Kosovën, kjo ambasadë tha se shpallja e organizatave terroriste në veri, u bë pa koordinim me qeverinë italiane.

“Sa i përket vendimit për shpalljen e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste, vlen të thuhet se nuk është marrë në koordinim me qeverinë italiane, e cila as paraprakisht nuk ishte e informuar nga autoritetet kosovare”, ka thënë Amabada e Italisë në Prishtinë për Klan Kosovën.

Sipas kësaj ambasade është më se i nevojshëm koordinimi me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që të mos përshkallëzohet më tej situata.

“Duke ripërsëritur planin trepikësh të Bashkimit Evropian për de-përshkallëzimin e situatës në komunat veriore të Kosovës, rikujtojmë nevojën për një koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe për t’u përmbajtur nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën”, thuhet tutje në përgjigjen e kësaj ambasade.

Kujtojmë se në lidhje me shpalljen e “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës, kanë reaguar edhe ShBA-ja, Gjermania e Franca, të cilat po ashtu deklaruan se ky vendim u mor pa u koordinuar me to.