Shteteve të Bashkuara i duhet një partner në Kosovë i cili e kupton nevojën për t’i shmangur veprimet destabilizuese, ta avancojë stabilitetin rajonal dhe t’i mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, tha një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Zëdhënësi e tha këtë të hënën për Radion Evropa e Lirë, pak ditë pasi SHBA-ja e pezulloi për kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Ai tha se e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, mban takime të rregullta me Kurtin dhe se “ne ia kemi shprehur drejtpërdrejt kryeministrit shqetësimet tona në këto takime, dhe e kemi bërë plotësisht të qartë qëndrimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.
Ambasada amerikane nuk ka shpjeguar se cilat kanë qenë veprimet e kryeministrit në detyrë Kurti që çuan në vendimin e saj për ta pezulluar pa afat dialogun e planifikuar strategjik.
Të hënën, zëdhënësi theksoi se SHBA-ja “do të vazhdojë t’i vlerësojë veprimet e Qeverisë në detyrë”, duke mos dashur të japë më shumë hollësi.
Ai siguroi se SHBA-ja do të mbetet gjithmonë mike e ngushtë e popullit të Kosovës dhe është plotësisht e përkushtuar ndaj partneritetit me Kosovën, por tha se u kërkon partnerëve të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitet dhe siguri.
“Ne dëshirojmë të ecim përpara me Qeverinë në detyrë, por na nevojitet një partner që e kupton domosdoshmërinë për të shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar të avancojë stabilitetin rajonal dhe të mbrojë të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksoi zëdhënësi.
Javën e kaluar, Qeveria në detyrë i hodhi poshtë kritikat e SHBA-së që çuan në pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik, duke thënë se “veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.
Ndërsa, presidentja e vendit, Vjosa Osmani – e cila kishte njoftuar në fillim të këtij viti se Kosova do ta finalizonte një marrëveshje të arritur me SHBA-në për këtë dialog – shprehu keqardhje dhe shqetësim për vendimin e SHBA-së.
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.
Derisa SHBA-ja nuk ka treguar për cilat veprime të Kurtit është e pakënaqur, ditëve të fundit, Kurti – i cili është njëkohësisht udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje – dhe zyrtarë të tjerë të partisë, përfshirë nënkryetarin Glauk Konjufca, e kanë kritikuar Gjykatën Kushtetuese për njëanshmëri, duke thënë se ajo është e afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime deri më 30 shtator, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.
Gjykata e vendosi këtë masë në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.
Kushtetuesja dhe bashkësia ndërkombëtare e kanë dënuar trysninë e Kurtit dhe partisë së tij ndaj gjykatës më të lartë të vendit./REL