Ambasada amerikane e lavdëron Kosovën për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë

Të hënën qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Veprimin e ekzekutivit kosovar e ka lavdëruar Ambasada e Shteteve të Bashkuara.

Përmes një njoftimi kjo ambasadë ka thënë se Kosova është solidarizuar me Ukrainën.

“ShBA e lavdëron Kosovën për solidarizimin e saj ndaj Ukrainës, duke i vendosur sanksionet dhe duke ofruar ndihmë humanitare për refugjatët dhe gazetarët, si edhe për dënimin e veprimeve të pajustifikuara dhe vdekjeprurëse të Rusisë”.

Ndërkaq zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, në mbledhjen qeverisë ka thënë se sanksionet kanë të bëjnë me ngrirjen e aseteve në Kosovë të individëve apo entiteteve të sanksionuara, ndalim të qasjes dhe operimit në treg, ndalim të udhëtimit dhe fondeve.

Ai theksoi se me sanksionet e reja, Kosova po ashtu ndalon çdo ndërmarrje të transportit rrugor rus apo bjellorus, me disa përjashtime.

Një nga veprimet e tjera është edhe ndalimi i importimin të qymyrit nga Rusia.