Shkruan: Medai Shaholli
Altruizmi dhe sevilizmi i integristëve në mbështetje pa rezervë të ‘drzhavës Severna’, e cila nuk njeh dhe mohon identitetin gjuhësor të shqiptarëve po kalon çdo limit mbi arsyet dhe absurdin e qëndrimeve të tyre politike ndaj shtetit njerkë.
Së fundmi edhe servilja e përjetëshme e pushtetit DUI, iu bashkua qëndrimit të SDSM-së duke pranuar rezolutën e VMRO-së, e cila përcakton vijat e kuqe në negociata me Bullgarinë!
Përmes autoparlantit të saj Artan Grubi, integristët guxuan të thonë se sa i përket gjuhës, shqiptarët më së miri e dinë se çka do të thotë të të kontestohet përdorimi i saj, andaj japin mbështetje për këtë Rezolutë.
Ai ‘sociokrati’ i DUI-t më tej deklaroi se “Absolutisht solidarizohemi me bashkëqytetarët tanë maqedonas, sepse ne më së miri e dimë se çka do të thotë të të kontestohet përdorimi i gjuhës, kulturës, historisë e kështu me radhë. Vlerësojmë se me metoda të shekullit 19, nuk mund të zgjidhen çështje të shekullit 21″.
Paradoksi i integristëve me këto qëndrime përulse dhe denigruese ndaj shqiptarëve të ‘Severnës’ qëndron pikërisht në atë se, ato vija të kuqe që kërkojnë nga Bullgaria në lidhje me identitetin dhe gjuhën e tyre, nuk guxojnë t’i vëndojnë bllokut sllavo-maqedon për ta njohur identitetin shqiptar dhe gjuhën shqipe dhe jo si shprehje shifrash.
Kësisoj, jo vetëm integristët e DUI-t por edhe dvizhenje ‘Besa’ me ‘nacionalistët’ e DPA në qeverinë e koalicionit nuk guxojnë t’i hapin këto tema për identitetin dhe gjuhën shqipe, por kanë mjaftuar të ‘rahatohen’ me miratimin e ligjit ‘për gjuhët e pakicave’, ku edhe gjuha shqipe hyn në atë ‘korpë të gjuhëve të pakicave’.
Falë servilizmit dhe tradhtisë së partiçkave tona politike shqipja jonë trajtohet në kushtetutë si gjuhë pa emër dhe shqiptarët si nomadë të ndodhur rastësisht në këto troje dhe jo si popull më i vjetër në këto anë me shqipen si gjuhë të perëndisë.
Por, partiçkat tona në vend që të vendosin kushte para çdo anëtarësimi të ‘Severnës’ në eurointegrime se, pa respektuar identitetin kombëtar dhe gjuhësor shqiptar nuk do marrim pjesë në asnjë qeveri koalicioni që nuk njeh këto të drejta, përkundrazi partiçka tona qurraviten para faktorit ndërkombëtar sesi vetoja bullgare bllokon negociatat me BE-në, pasi ‘drzhava’ ‘ka plotësuar të gjitha detyrimet’ që ka kërkuar BE.
Dhe bumerangu i kësaj politike shqiptare erdhi pikërisht nga premieri Zajko, i cili tha se kryeparlamentari Xaferi ka shkelur kushtetutën e ‘drzhavës’ pasi ka folur në gjuhën e tij dhe jo në gjuhën që ia mohon Bullgaria.
Ky është paradoksi i altruistëve shqiptarë nga DUI dhe jo vetëm të cilëve u kanë zënë sytë lëbyrë dhe po mbrojnë diçka që nuk është e tyrja dhe nga ana tjetër çuditen kur akuzohen nga premieri i tyre se, ‘përse përdorni në institucione ndërkombëtare një gjuhë që nuk e njeh kushtetuta’, të cilën vetë e keni miratuar!
Prandaj, sharlatanë dhe autoparlantë nga DUI dhe jo vetëm para se të mbroni një gjuhë që nuk është e juaja mbroni gjuhën e nënës nëse keni pikë dinjiteti dhe personaliteti, në të kundërtën vula e tradhtisë do të pllakos fundin tuaj një ditë.