Altin Lala për të ardhmen e Rashicës: Diçka do të ndodhë gjatë verës

Menaxheri Altin Lala e pranon se ka pasur kontakte me klube të ndryshme, e paralajmëron largimin e lojtarit gjatë verës që vjen

Milot Rashica është bërë objektiv i klubeve të njohura evropiane.

Mediat britanike shkruajnë se interesim për yllin kosovar kanë shfaqur katër klube angleze.

Bëhet fjalë për Liverpoolin, Aston Villën, West Hamin dhe Wolverhamptonin.

Përfaqësuesi kosovar e bëri një sezon pozitiv deri tash dhe kjo ka bërë që ai t’iu bie në sy klubeve.

Edhe menaxheri i 23 vjeçarit, Altin Lala ka zbuluar se ka pasur kontakte me klube të ndryshme.

Ish-futbollisti shqiptar nuk e përjashton mundësinë që gjatë verës Rashica të transferohet në një klub më të madh.

“Para koronavirusit, ne ishim në kontakte me disa klube, përfshirë këtu ato nga Bundesliga”, deklaroi Lala për televizionin gjerman Sport 1.

“Për momentin, gjithçka ka mbetur pezull. Por, jam i sigurt se sapo të kthehemi në normalitet, do të ketë lëvizje në këtë drejtim. Diçka do të ndodh definitivisht”, ka shtuar Lala.

Sipas tij, Rashica do të jetë i fokusuar tek Werder Bremeni deri në fund të sezonit, e më pas me gjasë do të largohet prej aty.

Krahas klubeve angleze, interesim për Rashicën ka shfaqur edhe Borussia Dortmundi në Gjermani.

Klubi gjerman e vlerëson Rashicën 38 milionë euro.

Vushtrriasi i ka realizuar 10 gola në 24 ndeshje me Bremenin këtë sezon deri tash.

Rashica ka kontratë me klubin gjelbër e bardhë deri në vitin 2022.