AlternAtivA: Zjarri që i djeg pyjet, po e djeg edhe shpresën e qytetarëve ndaj kësaj qeverie

Pas raportimit të djeshëm nga ana e Qendrës për Menaxhim me Kriza se në më shumë se 13 lokalitete të vendit kemi zjarr aktiv, është më shumë se skandaloze se qysh arriti në mbrëmje të mos lokalizohet zjarri në Koçani dhe kështu të rrezikohet, madje, edhe jeta e qytetarëve, reagojnë nga partia opozitare, Alternativa.

“Që skandali të jetë edhe më i madh flet fakti se përderisa dje disa vende dhe qytete ishin në rrezik të madh nga djegia e tërësishme, Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojanço Angellov, e festonte Ilindenin me këngëtarë të estradës, ndërsa për Koçanin që digjej as që i bëhej vonë. Kësaj në shqipen tonë i thonë “Fshati digjej, plaka krihej”. Ndërsa, nga ana tjetër, edhe më skandaloze është deklarata e Bekim Maksutit, Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, i cili si në stilin “Mesharin e Gjon Buzukut e ka shkruar Marin Barleti”, tha se avionët e shpëtimit janë jashtë përdorimit për arsye se servisimi kushton shumë”, tha Orhan Murtezani nga AAA-ja.

Kanë kërkuar edhe përgjegjësi nga Angellovi dhe Maksuti, duke kërkuar dorëheqjen e tyre./TV21