AlternAtivA: Koncepti për arsimin fillor dhe digjitalizimi i teksteve shkollore, i papranueshëm

Sot në selinë e Alternativës u mbajt një brifing me gazetarët, të cilin e kishte ftuar kryetari i partisë, Afrim Gashi. Në këtë brifing ishin të pranishëm edhe prof. dr. Lulzim Aliu – profesor në Fakultetin Pedagogjik “Sh. Kliment Ohridski dhe nënkryetar i Alternativës dhe prof. dr. Zeqirija Ibrahimi – hulumtues shkencor dhe anëtar i Kryesisë Qendrore të partisë.

Në këtë takim me gazetarët shtruan disa çështje. Afrim Gashi – kryetar tha se arsyeja e organizimit të këtij brifingu është Koncepti i arsimit fillor dhe propozimi për digjitalizimin e teksteve shkollore, i propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), aq më shumë që – sipas tij – tema e arsimit është ndër çështjet më themelore të angazhimit politik të Alternativës, nëse jo edhe tema qendrore e programit të saj.

Sipas tij, problemi themelor në Konceptin e arsimit fillor është qasja që ka MASH-i. Në këtë rast kemi një imponim pa asnjë konsultim me faktorët e tjerë politikë dhe profesionalë në vend. Ai u shpreh i bindur se kjo do të ketë impakt negativ për arsimin në Maqedoninë e Veriut. Ai edhe një herë i bëri thirrje Qeverisë dhe MASH-it që t’i marrë parasysh vërejtjet dhe ta pranojë bashkëpunimin për ta shqyrtuar dhe diskutuar këtë propozim me të gjithë faktorët deri në vendimin përfundimtar.

“Në të kundërtën, nëse MASH-i vazhdon të sillet me prepotencë ndaj vërejtjeve tona, në kohën që do të jemi në pushtet, ne do të jemi të detyruar që ta pezullojmë këtë koncept dhe në konsultim me të gjithë faktorët politikë dhe profesionalë të miratojmë një koncept tjetër të gjithëpranuar në vendin tonë.”, tha ai.

Kryetari i Alternativës u shpreh edhe kundër idesë për heqjen e plotë të teksteve të shtypura shkollore, kjo me shpjegimin se kjo nuk funksionon gati se askund në botë dhe se qëndrimi i ekspertëve të Alternativës është se kjo do të rezultojë me dëmtim të suksesit të nxënësve.

Ai shtoi se vetë fakti se sa i pasuksesshëm doli viti me mësimin online, është dëshmi e mjaftueshme se sa mund të jetë e suksesshme ideja për heqjen e teksteve të shtypura shkollore.

Ai, madje, tha se edhe fakti që ndryshimet ligjore duhet të vijnë në Kuvend me flamur të BE-së, kjo është mënyrë që ta imponojnë këtë ndryshim pa mundësi debati dhe diskutimi, që nuk është aspak europiane.