“Alternativa” e përçarë në Kongresin e parë – Gashi u rizgjodh kryetar, Zejdi bojkotoi

“Alternativa” sot mbajti kongresin e parë zyrtar të partisë ku u përcaktua rrugëtimi politik i kësaj partie në 4 vitet e ardhshme. Kongresi zgjodhi gjithashtu edhe kryetarin e partisë, ku rikonfirmoi edhe për katër vitet e ardhshme kryetarin e saj aktual, Afrim Gashin. Ai ishte kandidatura e vetme në këtë kongres, pasi përballë tij nuk u prezantua askush tjetër në garë. Në këtë kongres u zgjodh edhe Kuvendi Qendror, Programi dhe Statuti i partisë.

“Në mënyrë demokratike Kongresi votoi programin, statutin, votoi Kuvendin e ri Qendror, njëkohësisht Kongresi sot më dha edhe një mandat 4 vjeçare për të udhëhequr partinë Alternativa. Kjo është nderë dhe respekt për mua dhe unë besoj që nuk do t’i zhgënjejë, edhe aktivistët e Alternativës, edhe votuesit, por edhe gjithë qytetarët të tjerë, për shkak se kjo është një përgjegjësi shumë e madhe për mua”, tha Afrim Gashi

Kongresin e bojkotoi deputeti dhe njëri nga themeluesit e “Alternativës” Skender Rexhepi – Zejd.

“Unë edhe publikisht para disa ditësh i shpreha qëndrimet e mia lidhur me pjesëmarrjen e Alternativës në Qeveri, si dhe pakënaqësinë time për mos zbatimin e asnjë pike nga marrëveshja. Prandaj, uroj që sa më shpejtë të realizohen ato përcaktime programore të parapara, pasi që interesi i qytetarëve duhet të jetë mbi interesin personal. Mos pjesëmarrja ime ishte pikërisht të evitoj mundësinë e përçarjes dhe të pres reflektimin nga udhëheqësia mbi platformën qeveritare”, tha Skender Rexhepi.