Alternativa: BDI dhe LSDM ua bën gropën qytetarëve të Kumanovës (Video)

“Pushteti lokal i LSDM-së, në bashkëpunim me BDI-në, tash para zgjedhjeve lokale – në kohën kur mërgimtarët janë në
vendlindje – i ka hapur tri gropa të mëdha në tri lagjet kryesore të shqiptarëve të Kumanovës, gjoja që ndërmarrja e Ujësjellësit të vazhdojë me instalimet e ujit dhe të kryhen punë infrastrukturore”, thuhet ne reagimin e “Alternativës”.

“Siç e dimë tashmë, rruga që i lidh dy lagje të mëdha shqiptare, Lagjen e Trimave dhe atë të Bahçeve, është shkatërruar gati tërësisht përmes ndryshimit të kanalizimit dhe ujësjellësit, edhe pse për ta realizuar një gjë të këtillë është kërkuar para
nga banorët e kësaj rruge. Megjithatë, edhe pse është rrugë shumë e frekuentuar, ajo qëllimisht nuk asfaltohet dhe nuk rregullohet nga autoritetet lokale të BDI-së dhe LSDM-së. Kjo pakujdesi e pushtetit lokal LSDM-BDI për të hapur gropa të mëdha, përveç kaosit të
madh në trafik, paraqet edhe rrezik permanent për banorët dhe kalimtarët e rastit. Madje, ka pasur raste kur është dashur të intervenohet për t’i mbrojtur fëmijët dhe pleqtë për të mos rënë në ato gropa. Në të vërtetë, prishja e rrugëve tash – para zgjedhjeve – dhe zvarritja e
qëllimshme e rregullimit të tyre nga ana e autoriteteve lokale ka bërë që shumë mërgimtarë të neveriten me vendlindjen e tyre dhe të ikin që këtu për t`i harxhuar paratë në vende turistike. Kjo është arsyeja që Alternativa – Dega e Kumanovës të konstatojë se pushteti
lokal BDI-LSDM në këtë mënyrë po tenton të krijojë kokëçarje tek qytetari shqiptar i Kumanovës dhe t’ia vështirësojë jetën atij në vendbanimin e tij. Sidoqoftë, Alternativa i siguron kumanovarët se asnjë pushtet që sillet në këtë mënyrë me mërgimtarët dhe
qytetarët shqiptarë nuk do ta ketë jetën e gjatë dhe se për Kumanovën po vijnë ditë më të mira. Alternativa – Dega e Kumanovës.