Prokuroria Publike ka konfirmuar informacionet që ka publikuar Alsat, se objekti i ndërtuar në bulevarin “Nikolla Karev” apo e njohur si rruga e Plastikave, e ku me qira është vendosur kompania “Muslim Shop” është ndërtim pa leje! Siç njoftuan nga Prokuroria, parcela është pjesërisht në pronë shtetërore, e një pjesë në pronë të një personi fizik, shtetas i Gjermanisë, por për momentin qëndron në Zvicër.
“Prokuroria Publike Shkup, përmes kanaleve për ndihmë ndërkombëtare juridike të qendrës hetimore të Prokurorisë, ka dërguar kërkesë për kontrolle të nevojshme sa i përket këtij personi. Lidhur me këtë objekt, Prokuroria gojarisht është njoftuar se komuna ka filluar procedurë për njoftim se objekti ilegal do të largohet”, thonë nga Prokuroria Publike.
Në bazë të të dhënave nga Agjencia e Kadastrës, objekti ndodhet në parcelën me numër 4291. Nëse e hapim për të parë të dhënat e parcelës, shohim se sipërfaqja e përgjithshme e tokës është 516 m2 ndërsa në të janë të regjistruara dy objekte me nga 109 dhe 7 metra katror, gjë që nuk përkon aspak me gjendjen reale të objektit momental.
Dy objektet janë në pronësi të personit Ahmed Dinarica, e që sipas informacioneve të Alsat, i njëjti është baxhanak me ish avokatin e shtetit tanimë në paraburgim, Fehmi Stafa. Ky i fundit dyshohet të jetë investitori kryesor i këtij objekti pa leje, i cili pak vite më parë duhej të rrënohej por u ndërpre në moment të fundit nga Inspektorati për Ndërtimtari dhe Urbanizëm, gjoja për arsye ankese.
Komuna Qendër edhe më tej është gati ta rrënojë por presin ndihmën e policisë për t’i larguar punëtorët dhe mallin brenda objektit.
“Inspektori i ndërtimit të komunës Qendër ka sjellë procesverbal nga mbikëqyrja inspektuese, ka dhënë vendim për largimin e objektit të ndërtuar pa leje, si dhe konkluzion për veprim. Komuna për momentin bashkëpunon me Ministrinë për Punë të Brendshme nga e cila kërkon urgjentisht largimin e personelit dhe të mallit që gjendet në hapësirat e objektit. Ne si komunë jemi të gatshëm menjëherë të veprojmë sipas kompetencave”, thonë Komuna Qendër.
Gjatë viteve 2022-2023 kur ishte aktualizuar verifikimi juridik-pronësor i objektit dhe autoritetet kishin ndërmarrë masa për rrënimin e tij, në kundërshtim të procedurave ligjore dhe duke sabotuar procedurën kishte vepruar ish Avokati i Shtetit, Fehmi Stafa duke ndërmarrë veprime që kishin bërë institucionet t’i kryqëzonin kompetencat dhe në pamundësi të rrënimit, objekti të mbetej i paprekshëm./ Alsat.mk




