Allegri flet pas barazimit me Romën: Ishin me fat, mund të shënonim më shumë gola

Juventus dhe Roma kanë luajtur baras 1-1 në derbin e xhiros së tretë në elitën e futbollit italian Serie A. Dusan Valhovic kaloi Zonjën e Vjetër në epërsi pas dy minutave lojë, derisa Tammy Abraham barazoi gjithçka në fushë 21 minuta para fundit të takimit.

E për lojën e zhvilluar në ‘Allianz Stadium’ ka folur edhe trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri. Tekniku italian tha se Roma ishte me fat, pasi në pjesën e parë ekipi i tij mund të shënonte më shumë gola.

“Kampionati është i gjatë dhe rrezikon të humbasësh edhe këto ndeshje kur luan shumë mirë. Në minutat e fundit kemi rrezikuar edhe të humbasim dhe do të ishte e dëmshme psikologjikisht”.

“Skuadra luajti një lojë të mirë, ne ishim agresivë, luajtëm mirë teknikisht. Duhet të përmirësohemi ende. Në pjesën e parë mund të shënonim më shumë gola dhe ta mbyllnim fatin e ndeshjes”.

“Në 45 minutat e dytë ne kishim një lojtar shtesë në të majtë, pasi ata ishin më të mbuluar në të djathtë dhe ne e shfrytëzuam më pak. Jam i kënaqur me djemtë, ishte një lojë e mirë”.

“Roma është një skuadër që bën lojë të shkëlqyer,Mourinho është gjithmonë i zoti për ta mbajtur skuadrën brenda lojës, veçanërisht nëse nuk janë duke pësuar me më shumë se një gol dhe kjo sot ndodhi”,tha Allegri.