Shëndetësia në vend ka nevojë për kuadro të reja pasi përballet me mungesën e mjekëve, infermierëve dhe personelit teknik. Në përputhje me nevojat, çdo drejtori i shtëpisë së shëndetit, apo drejtor i ndonjë spitali, është obliguar që në bazë të sistematizimit të bën kërkesa deri Ministria e Shëndetësisë për punësime të reja, bën të ditur për TVM2 Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu.
“Pra momentalisht Maqedonia është shumë poshtë në përputhje me standardet evropiane në përputhje me kapacitetet demografinë dhe shërbimet shëndetësore që i japim. Kemi diku në disa prej shërbimeve shëndetësore jemi dy herë më ulët sesa kapacitete që i ka Bashkimi Evropian, dhe standardet evropiane në rastet më të mira jemi 50 përqind më ulët në aspekt të kapaciteteve njerëzore. Pra në total mund të them që eko sistemit shëndetësor i mungojnë shumë mjek, infermierë dhe personel teknik dhe një nga performansat që ne i bëjmë dhe nga prioritetet që i kemi si shëndetësi është që të zgjidhim problemin hap pas hapi, por në aspekt afatgjatë.”, u shpreh për TVM2 Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu.
Ministri Aliu po ashtu bën të ditur se në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të përgatisin strategji 10 vjeçare nacionale për formimin e kuadrit shëndetësor.
“Bashkë me ministrinë e arsimit bëjmë një strategji nacionale 10 vjeçare e cila do të bën edhe performimin e kuadrit të nevojshëm në shëndetësi i cili pastaj pas mbarimit të shkollës së mesme direkt do të punësohet apo pas mbarimit të fakultetit mjek të përgjithshëm do të punësohen apo do të vazhdojnë specializimin më tej. Pra krijojmë një politikë e cila do të paraprin nevojat dhe jo politikë e cila do të zgjidhë problemet reale ato në moment.”, tha Aliu për TVM2.
Numri i të punësuarve në shëndetësi është 32,383 persona, prej të cilëve 18,536 janë në institucione publike shëndetësore, ndërsa 13,842 persona në shëndetësinë private.




