Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka realizuar sot një vizitë në Peshter të Brusit, në shtëpinë-bazë të luftës së armatosur çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e njohur si shtëpia e “Nënës së UÇK-së”, Nënë Stane Pjetër Gashi.
Gjatë vizitës, Ahmeti u prit me ngrohtësi nga Nënë Stane Gashi, 80 vjeçe, së bashku me djemtë e saj, ish-ushtarët e UÇK-së Filip dhe Fatmir Gashi, si dhe vajza File Gashi. Mikpritja u zhvillua në frymën e traditës së pastër shqiptare dhe respektit të thellë për sakrificën kombëtar, njofton TS.
Nënë Stane Gashi njihet si një nga figurat më emblematike të mbështetjes civile gjatë luftës, pasi në shtëpinë e saj ka pritur dhe përcjellë mbi 300 luftëtarë të UÇK-së, duke u ofruar bukë, strehë dhe përkujdesje për plagët dhe rrobat e tyre.
Ali Ahmeti i uroi Nënës Stane shëndet, jetë të gjatë dhe të lumtur, të rrethuar nga familja e saj, ndërsa theksoi se qëndrueshmëria dhe sakrifica e saj mbeten frymëzim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Një moment i veçantë i vizitës ishte dhurata simbolike që Nënë Stane i bëri Ali Ahmetit – librin “Nëna e mbi treqind luftëtarëve”, të autorit Ibrahim Kadriu, të cilin Ahmeti e cilësoi si një nga dhuratat më të çmuara të jetës së tij.
Vizita u vlerësua si tejet emocionale, duke qenë se kjo shtëpi historike ka shërbyer si vatër ushqimi, strehimi dhe organizimi për heronj, dëshmorë, ushtarë, komandantë dhe drejtues zonash e brigadash të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.










