Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në ceremoninë e përfundimit të Akademisë Politike të BDI-së, ku ka vlerësuar angazhimin e të rinjve që përfunduan me sukses programin, transmeton Zyrtare.
Përmes një postimi, Ahmeti u shpreh se ishte kënaqësi e veçantë të ishte mes vajzave dhe djemve të rinj, duke theksuar se besimi, energjia dhe përkushtimi i tyre janë garanci që e ardhmja do të ndërtohet mbi dije, përgjegjësi dhe vizion.
“Investimi te të rinjtë është investim për të ardhmen e shoqërisë dhe të kombit tonë”, ka shkruar Ahmeti.
Ai theksoi se Akademia Politike nuk është vetëm një program edukimi politik, por një shkollë për formimin e liderëve të së nesërmes.
Sipas Ahmetit, shumë prej të rinjve që përfunduan akademinë do të jenë bartës të proceseve të rëndësishme shoqërore dhe politike, duke u shërbyer qytetarëve me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim.
Në fund, kreu i BDI-së u uroi të diplomuarve sukses në angazhimin e tyre të mëtejshëm, duke shprehur bindjen se ky është vetëm fillimi i rrugëtimit të tyre në shërbim të vlerave demokratike dhe interesit të përgjithshëm.





