Aq shumë jemi të organizuar. Do të shkelim ta dish”.
Ky është fjalori i kreut të BDI-së Ali Ahmeti, i cili gjatë euforisë së fushatës zgjedhore, nën tingujt e këngës patriotike “Jam këtu”, i dha bekimin Bajram Rexhepit në garën për Tetovën. Nëse do të përdornim fjalorin e Ahmetit, BDI dhe koalicioni, praktikisht në këto zgjedhje lokale u shkel pothuajse në të gjitha komunat. “Shkelja” si metaforë që Ahmeti e përdor për fituesin në garën komunale, mbase ishte më e veçantë në Tetovë apo qytetin ku integristët e kanë të pozicionuar selinë e tyre qendrore. Mbi 5 000 vota bënë dallimin mes fituesit Bilall Kasami dhe kandidatit të bekuar nga Ahmeti për të “shkelur”, Bajram Rexhepi.
Ndonëse garoi në koalicion të quajtur Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim, mbrëmë për të komentuar rezultatin zgjedhor, nuk pati në krah as Ziadin Selën e as Arben Taravarin, dy kryetarët e Aleancës për Shqiptarët. Ahmeti, tha se ndihet fitues meqë ka fituar shumicën e votave për këshilla komunalë, por pranoi humbjen për kryetar të komunave.
“Ne kemi fituar shumicën e votës popullore në mbarë vendin, apo më mirë të thuhet të votës kombëtare në këto zgjedhje. Por nuk kemi arritur të fitojmë garën për kryetarë të komunave. Ky është një mesazh kompleks që ne e pranojmë me respekt dhe përgjegjësi. Ne do të bëjmë analizë të thelluar, do të rinovojmë radhët tona dhe do të rifillojmë më të fortë”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Për dallim prej daljes së kaluar kur i sfidoi gazetarët që të pyesin çfarë të duan, Ahmeti mbrëmë nuk u ndal për të dëgjuar pyetje. Në daljen paraprake kur u pyet nëse do të japë dorëheqje për humbjen, kryeintegristi u përgjigj:
“Përse të tërhiqem ore vëlla. A i dëgjoni ju, a keni veshë a s’keni? Kush ka fituar. Humbësi duhet të tërhiqet jo fituesi. A i doni dokumentet”, u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Rezultatin zgjedhor e ka komentuar edhe Arben Taravari, apo partneri koalicionues i Ali Ahmetit, i cili doli nga koalicioni VLEN.
Përgjigja e popullit, sipas tij është e qartë. Madje, ai shton se qartazi përzgjedhja e disa kandidatëve ishte dashur të mendohej më mirë në disa komuna, duke mos konkretizuar me emër se për cilat komuna e ka fjalën.
Pikërisht për shkak të mospajtimeve për emrat e kandidatëve, dhe anketimeve brenda koalicionit të mëparshëm VLEN, Taravari e braktisi atë dhe gjeti strehë më të sigurt te AKI-ja.
Sipas rezultateve të publikuara, BDI ka fituar vetëm në 4 komuna, Studeniçan, Likovë, Pllasnicë dhe Çashkë, ndërsa VLEN me 9 komuna në Çair, Tetovë, Dibër, Bogovinë, Dollnen, Saraj, Haraçinë, Zhelinë dhe Tearcë.
Në Strugë, fitoi po ashtu kandidati i mbështetur nga VLEN, i pavarur Mendi Qyra.
Ndërkohë gara për Gostivarin dhe Vrapçishtin nuk ka përfunduar pasi në rrethin e parë zgjedhor nuk u arrit censusi i nevojshëm./ Alsat.mk




