Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti sërish do të jetë bartës i listës zgjedhore të BDI-së në njësinë numër 6, kurse në njësinë zgjedhore numër 2, që është njësia e dytë për nga numri i votave shqiptare, bartës do të jetë mjeku i njohur kumanovar, Ilir Hasani.
Burime partiake thonë për Gazetën Lajm se për njësinë zgjedhore numër 1 BDI mendohet mes Izet Mexhitit, Bujar Osmanit dhe Blerim Bexhetit.
Ahmeti preferon Mexhitin, mirëpo problem paraqet fakti se në këtë njësi bie gati gjysma e komunës së Çairit, ku Mexhiti realizoi dy mandat të pasuksesshme si kryetar (për këtë arsye ai nuk u paraqit fare para votuesve në Çair në zgjedhjet lokale, thonë burime partiake). Mangësi e Bujar Osmanit është dështimi i datës për negociata me BE-në, që ai naivisht e premtonte me ngulm, por edhe premtimet e dështuara për rrugën autostradën Shkup-Bllacë dhe për kufirin Bellanoc-Stançiq. Nga radhët e BDI-së në njësinë numër 1 më mirë qëndron Bexheti, por ai duhet të lëshojë postin e kryetarit të komunës, sepse votuesit vështirë do ta pranonin si bartës të listës për deputetë, deri sa është kryetar komune.
Në njësinë numër 5 bartës liste mund të jetë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Ai është nga Gostivari që bie në njësinë numër 6, mirëpo për shkak të fondit të vobegët kadrovik të BDI-së në këtë njësi zgjedhore, burime partiake thonë se Xhaferi mund të “komandojë” listën në njësinë numër 5.
Sipas burimeve partiake, BDi me listat zgjedhore do të bëjë një “sherr”, duke mos përfshirë në lista figura të fuqishme me ndikim partiak, por që në elektorat qëndrojnë dobët, si Musa Xhaferi, Sadulla Duraku, ndoshta edhe Bujar Osmani e Artan Grubi.
Mirëpo nëse fiton BDI, Xhaferi, Duraku, Grubi e Osmani me siguri do të kthehen në poste të fuqishme ministrore e zëvendëskryeministrore.
Në BDI kanë filluar kalkulimet edhe për kryetar të shtabit zgjedhor, ku si kandidatë kryesorë burimet tona përmendin Fatmir Besimin dhe Artan Grubin, duke mos përjashtuar nga këto kalkulime as Fatmir Deharin.
Maqedoni Ali Ahmeti bartës në njësinë 6, Ilir Hasani në njësinë numër 2!