Algjeria zgjat izolimin kundër koronavirusit deri më 14 maj

Algjeria njoftoi se do të zgjasë izolimin e vendosur në 48 provinca deri më 14 maj për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Qeveria algjeriane ka vendosur të zgjasë masat kundër COVID-19 të marra si pjesë e izolimit për 15 ditë tjera, tha kryeministri Abdelaziz Djerad në një deklaratë me shkrim.

Masat e izolimit, përfshirë pezullimin e arsimit dhe të gjitha llojet e aktiviteteve politike, ekonomike dhe kulturore, fillimisht do të përfundonin më 29 prill.

Numri i rasteve në vend është rritur në 3.517, pasi 135 persona tjerë rezultuan pozitivë në teste, theksuan të hënën autoritetet algjeriane.

Numri i vdekjeve në Algjeri është ngjitur në 432, me shtatë vdekje tjera, ndërsa 1.558 persona janë shëruar deri më tani.