“Alfa”, Dauti: Agim Islami dhe Rexhail Qerimi do ta dëshmojnë pafajësinë (Video)

Ramiz Dauti, dëshmitar në rastin “Alfa” është i bindur se shumë shpejtë do të dëshmohet pafajësia për shokun e tij Agim Islami dhe Rexhail Qerimin, të dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e një polici dhe plagosjen e dy të tjerëve, në vitin 2008, nëse Apeli vendos për rigjykimin e rastit.

Në një prononcim për gazetën LAJM, Dauti, sqaroi se seanca e Apelit lidhur me kërkesën e palës mbrojtëse për rigjykimin e rastit “Alfa” ishte caktuar për dje, por se e njëjta është anuluar pa asnjë arsyetim.

Dëshmitari i këtij, rasti rrëfen se me Agim Islamin kanë qenë ulur në një tavolinë në momentin kur ka ndodhur kjo ngjarje. Ai thotë se edhe ekspertiza e këtij rasti e kryer jashtë vendit e dëshmon pafajësinë e të dënuarve.

“Unë flas si dëshmitar i parë prezent me Agimin, ditën kur ka ndodhur vrasja, kam qenë me një tavolinë me Agimin dhe nuk mendoj se mund të ketë diçka ndryshe përveç që Agimi të del nga burgu ose të hyjë edhe unë në burg te Agimi sepse kam dëshmuar edhe në Gjykatë, unë kam qenë me një tavolinë me Agimin dhe besoj që shumë shpejtë Agimi do të del nga burgu, gjithashtu edhe Rexhaili. Por, le të dëshmohet së pari pafajësia, ne kërkojmë rigjykim me fakte dhe argumentet që i posedojmë, ta fitojmë pafajësinë e Agimit dhe unë jam i bindur që kjo do të ndodh shumë shpejtë, vetëm nëse nuk ka ndonjë ndikim nga sistemi i kaluar politik dhe gjykatësitë e korruptuar shumica, unë nuk mund të them për krejt. Këtu duhet të ketë ndryshim, përndryshe Agimi del është i pafajshëm. Besoj që shumë shpejtë do të del”, tha për gazetën LAJM, Ramiz Dauti, dëshmitar në rastin “Alfa”.

Në qershor të këtij viti, mbrojta deri te Gjykata Penale dorëzoi edhe ekspertizën e kryer jashtë shtetit, në të cilën thuhet se Agim Islami nga Shkupi është i pafajshëm dhe është dënuar mbi dëshmi joligjore dhe të kurdisura. Rasti Alfa ka ndodhur më 26 nëntor 2008, në parkingun e Fakultetit matematiko-natyror në Shkup, nga ku jetën kishte humbur polici shqiptar nga njësiti Alfa, ndërsa ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas me të cilët ai kishte qenë në patrullë. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi dhe Agim Islami.