Alergjitë janë të dëmshme për fëmijët, mjekët rekomandojnë për më shumë kujdes

Skuqja e syve, lotimi, kollitja, teshtitja mund të jenë alarm për një alergji nga çelja e luleve dhe bimëve në pranverë. Këto alergji mund të prekin gjithë grup moshat, por në veçanti fëmijët me imunitet të dobët. Mos trajtimi i tyre në kohë mund të çoje deri në astmë, sëmundje e cila patjetër të trajtohet me qëndrim disa javor në Spital. Në Institutin e Sëmundjeve të Mushkërive në Kozle në bazë ditore kontrollohen rreth 50 fëmijë me probleme të tilla, ndërkaq brenda vitit rreth 300 fëmijë shtrohen në spitale si pasojë e problemeve që shkaktojnë alergjitë e pranverës.

Nëse nuk arrihet të parandalohet ose të jepen medikamente të cilat i zbusin simptomat, shumë shpesh vjen deri te infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes si dhe mund të vijë deri te astma bronkiale ku dhe pasojat janë më të rënda për t’i mjekuar. Rastet më të komplikuara janë ato që vijnë me astmë bronkiale që është një fazë shumë e përparuar e alergjisë dhe ata kanë më tepër që të shtrohen dhe ju duhet një periudhë më e gjatë kohore për tu rikthyer në jetën e përditshme – deklaroi Besnik Zeqiri, Drejtor i Institutit të Sëmundjeve të Mushkërive-Kozle.

Sipas drejtorit të Institutit mbajtja e maskës mund të parandalojë dukshëm depërtimin e alergjenëve nëpër rrugët e frymëmarrjes.

Janë bërë studime në gjithë botën dhe është treguar se maska, tek fëmijët e parandalon alergjinë diku rreth 75% nëse mbahet maska e cila ngjitet për fytyre dhe jo maskat kirurgjike. Ata janë maskat KN95 apo FFP3 ata janë më të mira e parandalojnë polenin që të mos depërtojë poleni në hundë apo gojë. Fëmijët të cilët kanë alergji, mirë është në këtë kohë të mbahen maskat të cilat do i parandalojnë që poleni, alergjeni të hyjë në trupin e fëmijëve – tha Besnik Zeqiri, Drejtor i Spitalit-Kozle.

Për momentin fëmijët me probleme më të theksuara të shkaktuara nga alergjia sezonale dhe astma trajtohen në Klinikën e Pediatrisë në Shkup ngaqë Instituti në Kozle është shndërruar në Qendër Kovid për të rritur. Sipas njoftimeve të autoriteteve, nga e hëna Instituti i mushkërive në Kozle, i rikthehet normalitetit.