Aleatët pritet të marrin “zotime të detyrueshme” për sigurinë e Ukrainës

Zyrtarët nga më shumë se 30 shtete perëndimore – pjesë e të ashtuquajturit Koalicion të Vullnetit – që mbështesin Kievin në luftën e tij me Rusinë duan garanci të sigurisë për Ukrainën që përfshijnë “zotime të detyrueshme” për shtetin “në rast të një sulmi të armatosur në të ardhmen nga Rusia, me qëllim rivendosjen e paqes”.

Një draft-deklaratë, e parë nga Radio Evropa e Lirë, nga takimi në Paris më 6 janar, që përfshirë zyrtarë dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, thuhet se “aftësia e Ukrainës për të mbrojtur veten është me rëndësi të madhe për të siguruar të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë kolektive euro-atlantike”.

“Ne konfirmuam se sigurimi i sovranitetit dhe i sigurisë së qëndrueshme të Ukrainës do të jetë pjesë integrale e një marrëveshjeje paqeje, dhe se çdo zgjidhje do të duhet të mbështetet nga garanci të forta për Ukrainën”, thuhet në draft-deklaratë, që mund të ndryshojë.

“Si partnerët e Koalicionit, ashtu edhe SHBA-ja, do të luajnë një rol jetik dhe të koordinuar në ofrimin e këtyre garancive të sigurisë”.

Takimi në Paris u thirr në mes të një stuhie diplomatike për të formësuar një propozim për paqe që synon dhënien fund të luftës më të madhe dhe më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në takimin e 6 janarit do të ketë gjithashtu ka një prani amerikane, me kryenegociatorët e presidentit Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, që janë të pranishëm në kryeqytetin francez, megjithëse sekretari i Shtetit, Marco Rubio, nuk ka gjasa të vijë, pavarësisht shpresave në disa kryeqytete evropiane se ai do të merrte pjesë gjithashtu.

Në draft-deklaratë formulimi më i qartë që aleatët kanë bërë deri më tani sa i përket zotimeve ushtarake për t’i siguruar ukrainasit pas çdo marrëveshjeje të mundshme të paqes me Moskën.

Aty thuhet se mbështetja për Ukrainën nga aleatët do të përfshijë një mekanizëm monitorimi dhe verifikimi të armëpushimit të udhëhequr nga SHBA, mbështetje për forcat e armatosura të Ukrainës, një forcë shumëkombëshe për Ukrainën, dhe “zotime të detyrueshme për të mbështetur Ukrainën në rast të një sulmi të armatosur të ardhshëm nga Rusia, me qëllim rivendosjen e paqes”.

“Këto zotime [të detyrueshme] mund të përfshijnë përdorimin e kapaciteteve ushtarake, mbështetje inteligjence dhe logjistike, nisma diplomatike, miratimin e sanksioneve shtesë”, thuhet në draft-deklaratë.

Zyrtarë evropianë i thanë Radios Evropa e Lirë se ka “një ndjenjë të ripërtërirë urgjence” pas një takimi gjatë fundjavës të këshilltarëve për sigurinë kombëtare dhe një mbledhjeje të planifikuesve ushtarakë më 5 janar.

Në draft nuk jepen detaje për trupat e një force shumëkombëshe, por disa zyrtarë kanë thënë se numri që po bisedohet në kryeqendrat evropiane për këtë forcë është nga 15 mijë deri në 20 mijë trupa, ndërsa disa të tjerë shpresojnë që numri të jetë afër 30 mijë trupa të cilët do të punonin nën moton “det, qiell dhe tokë e sigurt”.

Shumica e trupave pritet të jenë nga Francë dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat do të udhëheqin komponentin tokësor dhe ajror, ndërsa Turqia ka bërë të ditur se do të jetë përgjegjëse për sigurimin e korridoreve të transportit në Detin e Zi.

Shumica e zyrtarëve evropianë, me të cilët REL-i ka qenë në kontakt, besojnë se dislokimi më i mundshëm do të jetë në Ukrainën Perëndimore për të mbështetur dhe trajnuar trupat ukrainase.

Pyetje të pazgjidhura

Ndërsa kornizat e një pranie perëndimore në Ukrainë po marrin formë, ka ende disa pikëpyetje për t’u sqaruar, përfshirë rregullat e angazhimit dhe garancitë e sigurisë nga SHBA.

Një diplomat evropian pranoi se një çështje që ende nuk është zgjidhur është se si duhet reaguar ndaj një sulmi të mundshëm rus. “Në thelb ende po diskutojmë nëse do të kundërpërgjigjemi me zjarr apo do të largohemi”, tha ai.

Sa i përket garancive të sigurisë nga SHBA-ja, si Brukseli ashtu edhe Kievi po bëhen gjithnjë e më optimistë se Uashingtoni do të ofrojë “një mbështetje të fortë”, edhe pse ende nuk është e qartë saktësisht se çfarë forme do të marrë kjo.

Zyrtarë evropianë i thanë REL-it, në kushte anonimiteti, se mund të ketë trupa amerikane në terren në një rol jo-luftarak për të vëzhguar armëpushimin.

Por koalicioni gjithashtu shpreson që Uashingtoni të vazhdojë të ofrojë “mbështetje nga prapavija”, siç janë logjistika dhe inteligjenca.

Në nëntor 2025, Trump e shtyu Zelenskyn të pranonte një propozim paqeje me 28 pika, të cilin shumë e panë si dukshëm në favor të Rusisë.

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë — të udhëhequr nga Britania, Franca dhe Gjermania — u përpoqën me nguti të zhvillonin një kundërpropozim, duke paraqitur përfundimisht një plan me 20 pika që përfshinte më shumë interesat e Kievit, veçanërisht në lidhje me garancitë e sigurisë dhe integritetin territorial.

Në takimet e tij me evropianët, Zelensky ka të ngjarë të theksojë nevojën për garanci sigurie — nga Evropa, por edhe në bashkëpunim me sigurime të forta të dëshiruara nga Shtetet e Bashkuara.

Çështje të ndërlikuara

Kryenegociatori i Ukrainës, Ruslan Umerov, deklaroi së fundmi se “shumica e pozicioneve — 90 për qind e planit të paqes — tashmë janë rënë dakord, dhe puna vazhdon mbi detajet”.

Këto detaje, që pritet të diskutohen në Paris, përfshijnë çështjen e ndërlikuar të lëshimeve territoriale, me Ukrainën që kërkon që vija e kontaktit të ngrihet ose që i gjithë rajoni i Donbasit të bëhet një zonë e çmilitarizuar.

Një çështje tjetër është pronësia e centralit bërthamor të Zaporizhias, me Kievin që hedh poshtë idenë e menaxhimit të përbashkët nga Ukraina dhe Rusia, duke preferuar që Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë për të shitur energjinë e tij në Moskë.

Megjithatë, pak njerëz në Bruksel mendojnë se Rusia do të pranonte ndonjë nga këto çështje, me vlerësimin se Kremlini ende mendon se po fiton në fushëbetejë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë disa herë javët e fundit se Moska do t’i arrijë qëllimet e asaj që e quan “operacion i posaçëm ushtarak”, qoftë përmes marrëveshjes apo forcës.

Me këtë në mendje, BE-ja po përgatit veçmas një rund të ri sanksionesh, të 20-in që nga pushtimi i plotë gati katër vjet më parë, i cili pritet t’u paraqitet shteteve anëtare për miratim më vonë gjatë janarit./REL