Presidenti amerikan, Donald Trump, në një intervistë për “Financial Times” ka paralajmëruar vendet anëtare të NATO-n se “i pret një e ardhme shumë e keqe” nëse dështojnë ta ndihmojnë SHBA-në në lidhje me Iranin.
Ndërsa në një adresim nga “Air Force One” ka thënë se u ka kërkuar disa shteteve aleate që të ndihmojnë në sigurimin e anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Sipas tij, SHBA-ja ka qenë “shumë e sjellshme” me aleatët e saj evropianë dhe i ka ndihmuar ata për luftën në Ukrainë, dhe tani pret që të shohë se si do ta ndihmojnë ata SHBA-në.
“Mbani mend, si shembull i shumë rasteve në vendet e NATO-s, ne jemi gjithmonë aty për NATO-n. Po i ndihmojmë ata me Ukrainën. Ekziston një oqean midis nesh, nuk na prek, por i kemi ndihmuar. Do të ishte interesante të shihnim se cili vend nuk do të na ndihmonte me një përpjekje shumë të vogël, e cila është thjesht mbajtja e ngushticës hapur, dhe është e vogël, sepse Iranit i kanë mbetur shumë pak fuqi zjarri”, ka deklaruar Trumpi.
Ai e ka përmendur edhe Kinën si një nga vendet që duhet të ndihmojnë në hapjen e ngushticës, duke theksuar se Pekini varet shumë nga dërgesat e naftës që kalojnë nëpër këtë rrugë ujore.
Mirëpo, deri më tani, asnjë vend nuk është zotuar të dërgojë anije luftarake në rrugën ujore, për të cilën Irani pretendon se po operon në “kushte të veçanta”.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka thënë të hënën se vendi i tij po punon me aleatët për një plan për të rihapur rrugën thelbësore të transportit detar.
Mirëpo, ai ka shtuar gjatë një konference për media në Londër se Mbretëria nuk do të përfshihet në një luftë më të gjerë, duke theksuar se për të, e rëndësishme është mbrojtja e popullatës së saj në rajon.
“Së pari, ne do të mbrojmë njerëzit tanë në rajon. Së dyti, ndërsa ndërmarrim veprimet e nevojshme për të mbrojtur veten dhe aleatët tanë, nuk do të përfshihemi në një luftë më të gjerë. Dhe së treti, ne do të vazhdojmë të punojmë drejt një zgjidhjeje të shpejtë që sjell sigurinë dhe stabilitetin përsëri në rajon dhe ndalon kërcënimin iranian ndaj fqinjëve të tij”, është shprehur Starmer.
E zëdhënësi i kancelarit gjerman, Friedrich Merz, Stefan Kornelius, ka thënë se lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, nuk është luftë e NATO-s.
“Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n – nuk është lufta e NATO-s. NATO është një aleancë për të mbrojtur zonën e aleancës. Dhe qeveria federale e ka bërë gjithashtu të qartë qëndrimin e saj për pjesëmarrjen në këtë luftë”, ka thënë Kornelius.
Kundërshtimin për të marrë pjesë në sigurimin e Hormuzit e ka bërë edhe Spanja, qeveria e së cilës ka thënë se nuk do të marrë pjesë në asnjë mision ushtarak në Lindjen e Mesme, sepse e konsideron luftën SHBA-Izrael kundër Iranit si të paligjshme.
Ndërkaq, shefja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka deklaruar se BE-ja do të shqyrtojë mundësitë për ta mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit.
E diplomati më i lartë i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë të hënën se Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur vetëm për anijet e Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe aleatëve të tyre.
Sipas tij, nga perspektiva e tyre, ajo është e hapur.
Që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmuan Iranin më shumë se dy javë më parë, Teherani ka sulmuar disa anije në Ngushticën e Hormuzit, nëpër të cilën kalon rreth një e pesta e naftës botërore.



